Maqedonia e Veriut paguan miliona euro dëmshpërblim për aktgjykimet e Strazburgut, nën mbikëqyrje për 31 lëndë

featured
Press Online
20 Prill 2026, 12:03

Më 21 prill në një seancë të komisionit parlamentar deputetët do ta shqyrtojnë Raportin Vjetor për punën e Komisionit ndër-resorial për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për vitin 2024, raporton SDK.

Raporti për vitin 2025 është në fazën e përgatitjes. Në përputhje me nenin 46 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), Komiteti i Ministrave mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, Francë.

Numri i lëndëve në ekzekutim në Maqedoni nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave në fund të vitit 2024 është 31. Numri i lëndëve të reja që janë vënë nën mbikëqyrjen e Komitetit në vitin 2024 është 16, në krahasim me 20 lëndët në vitin 2023 dhe 10 lëndët në vitin 2022.

Nga “lëndët e reja” të vendosura nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave gjatë vitit 2024, 7 kanë qenë kryesuese (që tregojnë për anomali dhe parregullsi serioze në sistem), ndërsa 4 janë klasifikuar si lëndë që përsëriten.

Nga lëndët kryesore nën mbikëqyrje të shtuar, dy janë në proces ekzekutimi nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave për 5 ose më shumë vjet. Bëhet fjalë për rastin “Kitanovski”, i cili kryeson në raport me një grup prej 7 aktgjykimesh të tjera me të cilat është konstatuar shkelje e nenit 2, gjegjësisht nenit 3 të KEDNJ-së, sidomos për shkak të mungesës së një hetimi efektiv mbi pretendimet për trajtim çnjerëzor nga policia.

Rasti tjetër është rasti “X”, në të cilin mungesa e rregullimit ligjor mbi procedurën dhe kushtet për ndryshimin e përcaktimit të gjinisë në evidencën amë të personave transgjinorë është pengesë për ekzekutimin e masave të përgjithshme.

Ngjashëm me këtë, dy nga rastet kryesuese nën mbikëqyrje standarde të Komitetit të Ministrave janë në proces ekzekutimi për 5 ose më shumë vjet. Bëhet fjalë për rastin “Vasillkovski, dhe të tjerë”, i cili është një rast kryesues në një grup lëndësh gjithnjë e në rritje , e që kanë të bëjnë me nenin 5 të KEDNJ-së, i cili garanton të drejtën e lirisë dhe sigurisë (rastet e paraburgimit).

Rasti tjetër, rasti “Mitovi”, supozon ndryshime në legjislacionin vendas, kryesisht në fushën e së drejtës familjare, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me zbatimin e vendimeve për vizita me fëmijët.

Zbatimi i vendimeve në raste të tilla kryesuese varet nga ndryshimet legjislative, proces me të cilin kjo përbërje parlamentare po përballet me vështirësi në dy vitet e fundit.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Raporti Vjetor mbi punën e Byrosë për Përfaqësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për vitin 2024.

Gjatë vitit 2024 në Byronë për përfaqësim janë dorëzuar gjithsej 44 kërkesa për përgjigje. Në mesin e tyre janë lëndët e: kryetarit të shkarkuar dhe të dënuar të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski (neni 5 – E drejta për liri dhe siguri); ish-kryetares së shkarkuar të Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova (neni 6 – E drejta për një gjykim të drejtë); gjykatëses Snezhana Gerovska-Popçevska (E drejta për një gjykim të drejtë); si dhe Nikolla Gruevski, Mile Janakieski dhe Vlladimir Talevski, të cilët ngritën padi kundër Maqedonisë për të drejtën për një gjykim të drejtë.

Gjatë vitit kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut janë sjellë gjithsej 10 aktgjykime. Njëri prej tyre, pas një padie nga aplikantja Mitrevska, duhet të shërbejë si shembull për institucionet dhe gjykatat se si t’i evitojnë të njëjtat gabime në të ardhmen.

Bëhet fjalë për shkeljen e të drejtës për jetë private të aplikantes Mitrevska (A. nr. 20949/21), e cila si fëmijë është birësuar në një procedurë të plotë birësimi. Autoritetet vendase nuk kanë arritur të gjenin një ekuilibër midis interesave kontradiktore në procedurën për qasje në informacion në lidhje me origjinën e saj biologjike dhe të dhënat mjekësore të prindërve të saj biologjikë.

Konkretisht, në prill të vitit 2017 aplikantja Mitrevska ka kërkuar informacion në lidhje me birësimin e saj nga Qendra për Punë Sociale në Shkup. Ajo ka shënuar se në vitin 2014 i është diagnostikuar çrregullim depresiv i ankthit dhe problemet me të folurit, kështu që mjekët e saj i kanë kërkuar informacion në lidhje me historinë mjekësore të familjes së saj me qëllim përcaktimin e një sëmundjeje të mundshme të trashëguar. Në qershor të vitit 2017 ajo ka dorëzuar një kërkesë shtesë në komisionin kompetent për birësim.

Edhe Komisioni edhe Qendra e kanë informuar se, në përputhje me nenin 123-a të Ligjit për Familjen, të dhënat mbi birësimet janë sekret zyrtar dhe për këtë arsye ata nuk mund të japin ndonjë informacion, e as të marrin një vendim formal. Pas kësaj, aplikantja ka ngritur padi për “heshtje të administratës”. Padia është refuzuar nga të dy gjykatat administrative në vitin 2020 me arsyetimin se autoritetet kanë vepruar drejtë, pasi informacioni i kërkuar është sekret zyrtar.

Pretendimet e aplikantes u shqyrtuan nga GJEDNJ nga perspektiva e detyrimit të Shtetit për të siguruar respektim efektiv të të drejtave të saj të mbrojtura nga neni 8 (E drejta për jetë private dhe familjare). Gjykata e Strasburgut vuri në dukje se, edhe pse institucionet ishin thirrur në parimin e proporcionalitetit, ato nuk i kishin identifikuar interesat kundërvënëse, as nuk kishin bërë balancimin e tyre, ndërsa aspak nuk i kishin trajtuar arsyet mjekësore për të cilat aplikantja i kishte kërkuar të dhënat.

Në raport me nenin 123-a të Ligjit për Familjen, GJEDNJ vendosi se ai nuk parashikonte mundësinë e marrjes së informacionit jo-identifikues (që nuk e zbulojnë identitetin), si dhe nuk parashikonte një përjashtim nga konfidencialiteti për arsye mjekësore. Sipas GJEDNJ-së, kjo ka qenë një pengesë për vlerësimin e argumenteve të aplikantes nga institucionet.

Gjykata vuri në dukje edhe se Gjykata Kushtetuese në vitin 2019 nuk e ka marrë parasysh interesin e një të adoptuari të rritur në marrjen e informacionit në lidhje me historinë mjekësore. GJEDNJ arriti në përfundimin se institucionet vendase nuk kishin gjetur një ekuilibër adekuat, duke vërtetuar kështu një shkelje të nenit 8 të KEDNJ.

Krahas këtyre aktgjykimeve në vitin 2024 Gjykata e Strasburgut ka lëshuar ​​gjithsej 18 vendime kundër Maqedonisë së Veriut. Shuma e fonE madhee të dhëna mbi të gjitha bazat (aktgjykime, marrëveshje dhe deklarata të njëanshme) arriti në gjithsej 2.191.889 euro. Kjo është një shumë rekord në 10 vitet e fundit. Në një rast është vënë re edhe një vonesë e pagesës.

Pas këtij raporti vijon përgatitja e raportit për vitin 2025. Shuma e përgjithshme e dhënë për vitin e kaluar ende nuk është publikuar zyrtarisht.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter