Hungaria si reflektim i një Evrope në lëkundje dhe një Ballkani në kërkim!

featured
0
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Nga Destan Jonuzi

Fitorja e Peter Magyar nuk është thjesht një rotacion pushteti në Hungari. Ajo është një çarje në një rend politik që për më shumë se një dekadë sfidoi vetë kuptimin e projektit evropian. Rënia e Viktor Orbanit nuk përfaqëson vetëm fundin e një epoke, por ekspozon një të vërtetë më të pakëndshme, se iliberalizmi nuk ishte një E madheijim periferik, por një simptomë e thellë e krizës së Bashkimit Evropian.

Në këtë kuptim, Hungaria nuk është përjashtim, ajo është paralajmërim.

Retorika e menjëhershme e Magyarit, e ngarkuar me urgjencë dhe dramatizëm politik, përshkruan një shtet të “rrënuar” dhe një sistem të “kapur”. Por përtej këtij diskursi që rezonon me momentin elektoral, sfida e tij reale është më e ndërlikuar, të rikthejë një shtet në orbitën e sundimit të ligjit pa prodhuar një tjetër formë të kontrollit politik mbi institucionet. Sepse historia e tranzicioneve na mëson se rrëzimi i një modeli nuk garanton lindjen e një modeli më të mirë, shpesh vetëm e ripaketon atë.

Për Ursula von der Leyen dhe establishmentin e Brukselit, kjo është një mundësi e shumëpritur për të rikthyer një partner të humbur. Por edhe një test i sinqeritetit evropian. Sepse për vite me radhë, “problemi hungarez” ka shërbyer si një alibi e përshtatshme për paaftësinë e Unionit për të ndërtuar konsensus të brendshëm. Orbani ishte pengesa, një figurë mbi të cilën projektoheshin dështimet kolektive.

Me largimin e tij, kjo alibi zhduket.

Nëse bllokadat vazhdojnë, ato do të jenë tashmë produkt i një krize më të thellë, fragmentimit të vetë Evropës.

Paradoksi i Peter Magyarit qëndron në origjinën e tij politike. Ai është një produkt i sistemit që premton ta çmontojë. Kjo e bën një figurë “liminale”, midis reformatorit dhe trashëgimtarit. Prandaj, pritjet për një kthesë radikale duhen lexuar me kujdes kritik.

Qëndrimet e tij ndaj Ukrainës, energjisë ruse dhe sovranitetit kombëtar sugjerojnë një Hungari më pak konfrontuese në stil, por jo domosdoshmërisht më të ndryshme në substancë. Në këtë kuptim, ndryshimi mund të jetë retorik, jo strukturor.

Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh për Brukselin, të ngatërrojë ndryshimin e retorikës me ndryshimin e realitetit.

Për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, zhvillimet në Budapest kanë një dimension pothuajse simbolik. Hungaria e Orbanit ka qenë për vite një model referimi, shpesh i pashpallur, për qeverisje të centralizuar, kontroll institucional dhe relativizim të standarE madhee demokratike.

Strehimi i Nikolla Gruevskit në Budapest nuk ishte një episod i izoluar, por një manifestim konkret i një filozofie politike që sfidon logjikën e përgjegjësisë ndërkombëtare. Premtimi i Magyarit për të mos qenë Hungaria më një strehë për figura të kërkuara nga drejtësia, është një akt me peshë jo vetëm juridike, por edhe morale.

Megjithatë, Ballkani nuk duhet të presë shpëtim nga ndryshimet në Hungari. Sepse problemi i rajonit nuk është mungesa e sinjaleve nga Brukseli apo Budapestit, por mungesa e transformimit të brendshëm. Integrimi evropian mbetet një projekt i brendshëm përpara se të jetë një proces negociues.(PressOnline.al)

Hungaria si reflektim i një Evrope në lëkundje dhe një Ballkani në kërkim!
0

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter