Sa herë flitet për Gjuhën Shqipe në Maqedoninë e Veriut, aq herë tradhtohet!

featured
Press Online
16 Mars 2026, 12:34

Nga Destan JONUZI

Në Maqedoninë e Veriut ekziston një paradoks që ka zënë vend në çdo krizë politike të fundit dy dekadash, sa herë që sistemi shfaq dobësi, gjuha shqipe rikthehet në qendër të diskutimeve. Por jo si një e drejtë që duhet mbrojtur, por si një kartë politike e manipulueshme, e përdorur sipas interesave të momentit.

Edhe sot ky fenomen është i dukshëm. Deklaratat e ish-presidentit Stevo Pendarovski, sipas të cilit ligji për gjuhët ekziston, por nuk zbatohet plotësisht, nuk janë thjesht komente formale. Ato janë pranim i hapur se një nga ligjet më të bujshme të viteve të fundit ka mbetur pezull, mes propagandës dhe realitetit.

Në të njëjtën kohë, në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur një iniciativë qytetare për shfuqizimin e ligjit për gjuhët. Kjo situatë nuk është vetëm një debat ligjor, është ekspozim i hipokrizisë politike që përfshin pothuajse të gjitha partitë kryesore në vend.

VMRO-DPMNE, që historikisht ka përdorur çdo debat për gjuhën shqipe si mjet mobilizimi për elektoratin maqedonas, është akoma e gatshme ta kthejë këtë ligj në simbol të tensioneve identitare. Kur duhet të ketë zbatim institucional, kjo parti zgjedh presion politik dhe retorikë nacionaliste.

BDI, për më shumë se dy dekada pjesë e pandërprerë e pushtetit, e ka shitur ligjin për gjuhët si fitore historike për shqiptarët. Por realiteti flet ndryshe: dokumentet shpesh nuk përkthehen, procedurat administrative zhvillohen vetëm në një gjuhë, dhe qytetarët shqiptarë duhet të luftojnë që të drejtat e tyre të respektohen.

Nëse ky ligj ka qenë kaq historik, pse nuk zbatohet kurrë plotësisht?

Edhe LSDM-ja e cila pretendon se përfaqëson modelin e një shteti qytetar dhe multietnik, zbatimi i ligjit gjatë periudhave kur ka qeverisur ka qenë më shumë retorikë se realitet. Kompromiset e shndërruara në fitore të madhe janë thjesht fasadë politike.

Kjo nuk është një histori për një ligj të vetëm. Kjo është një histori për një shtet ku barazia trajtohet si mjet negociimi politik, jo si parim i qëndrueshëm institucional. Kur barazia bëhet kompromis, ajo është gjithmonë e negociueshme, dhe pikërisht për këtë arsye ligji për gjuhët rrezikon të vihet në pikëpyetje.

Ironia më e madhe është e qartë, një e drejtë e shpallur historike mund të rrezikohet pikërisht për shkak të mungesës së zbatimit. Përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë – VMRO-DPMNE, BDI dhe LSDM – që për vite me radhë kanë preferuar ta përdorin gjuhën shqipe si slogan, në vend që ta mbrojnë si standard institucional të barazisë.

Gjuha shqipe nuk ka nevojë për deklarata politike. Ajo kërkon diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të vështirë njëkohësisht, zbatim real të ligjit. Deri atëherë, çdo debat i ri mbi të do të mbetet një reflektim i së njëjtës krizë të vjetër politike dhe hipokrizie të pandërprerë.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter