Çmimet botërore të ushqimeve u rritën në korrik në nivelin e tyre më të lartë në më shumë se tre vjet për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe përshkallëzimit të konflikteve në Detin e Zi dhe Gjirin Persik, kumtoi sot Organizata për ushqim e Kombeve të Bashkuara (FAO).
Indeksi i çmimeve të ushqimeve (FFPI), i cili ndjek ndryshimet mujore në çmimet e produkteve ushqimore të tregtuara në të gjithë botën, qëndroi në 131.1 në korrik, nga 130.3 pikë në qershor dhe niveli më i lartë që nga janari 2023.
Kryeekonomisti i FAO-s tha këtë javë se bota po përballet me një rritje të re të çmimeve të ushqimeve, pasi luftërat në Iran dhe Ukrainë, së bashku me fenomenin e motit El Nino, kanë krijuar kushte për shpenzime më të larta dhe rendimente më të ulëta të korrjeve.
Në qershor, u regjistrua një rritje mujore e çmimeve të drithërave prej 3,4 përqind, gjegjësisht një rritje prej 5,8 për qind e çmimeve të grurit, kumtoi agjencia.
Në tregjet e drithërave, ka shqetësime në lidhje me ndërprerjen e eksporteve në Detin e Zi dhe dëmet e shkaktuara nga temperaturat e larta në rajonet kryesore të prodhimit bujqësor, shtoi FAO.
Indeksi i çmimit të vajit vegjetal u rrit me dy për qind në nivelin më të lartë që nga qershori i vitit 2022.
Çmimet më të larta të naftës bruto për shkak të përshkallëzimit të luftës në Iran dhe kërkesës më të madhe për biodizel kontribuan në rritjen e çmimeve të vajit të palmës dhe të sojës. Çmimet e vajit të kolzës dhe të lulediellit ranë.
Çmimet e sheqerit u rritën me 5,6 për qind për shkak të kushteve të pafavorshme të motit në Evropë dhe Azi dhe një rritjeje të pritur të kërkesës për etanol në Brazil.
Çmimet e mishit, nga ana tjetër, ranë me 2.8 për qind nga një nivel rekord në qershor, dhe çmimet e qumështit ranë gjithashtu me 0.7 për qind, publikoi agjencia.


