Një studim i ri tregon se kur temperaturat rriten mbi 20 gradë, lind më pak fëmijë meshkuj krahasuar me femrat. Hulumtuesit nga Universiteti i Oxfordit zbuluan se ekspozimi ndaj nxehtësisë mund të rrisë mortalitetin prenatal në shtatzënitë e hershme, veçanërisht tek fetuset mashkullore. Për shumë vite, raporti gjinor i lindjeve, proporcionimi i djemve ndaj vajzave ishte menduar të ishte konstant, i përcaktuar gjenetikisht dhe i pandryshueshëm nga faktorët socialë ose mjedisorë. Megjithatë, rezultatet e publikuara në Proceedings of the National Academy of Sciences of the United States of America (PNAS) tregojnë se nxehtësia ekstreme mund të ndikojë në numrin e djemve dhe vajzave të lindur globalisht.
Hulumtuesit analizuan të dhëna nga mbi pesë milionë lindje në 33 vende të Afrikës Sub-Sahariane dhe në Indi. Ata zbuluan se nxehtësia ambientale mund të rrisë mortalitetin prenatal në shtatzënitë e hershme, veçanërisht tek meshkujt, në të dyja rajonet. “Temperatura ka një ndikim themelor në riprodhimin njerëzor duke përcaktuar se kush lind dhe kush jo”-tha Abdel Ghany, bashkëautor i studimit.
Ai shtoi se këto rezultate tregojnë se temperatura ka pasoja të matshme për mbijetesën e fetusit dhe për sjelljet e planifikimit familjar, duke ndikuar në përbërjen e popullsisë dhe balancën gjinore. Studimi identifikoi 20 gradë Celsiusin si temperaturën ku shfaqet ky efekt, edhe pse ditët më të nxehta nuk rrisin proporcionalisht ndikimin. Hulumtime të mëparshme treguan se ekspozimi gjatë shtatzënisë rrezikon aftësinë e trupit të nënës për të rregulluar temperaturën, duke rritur rrezikun e humbjes së shtatzënisë.



