Një unazë me diamant, e mbajtur nga një prej të mbijetuarave më të njohura të fundosjes së anijes “Titanic” është shitur 165 000 dollarë, në një ankand në Britaninë e Madhe.
Lady Duff Gordon, e mbante këtë unazë me diamant në gisht kur anija luksoze e pasagjerëve u fundos gjatë udhëtimit të saj të parë më 15 prill 1912, tragjedi ku humbën jetën rreth 1 500 persona.
Kjo ishte e vetmja bizhuteri me vlerë që ajo arriti të shpëtonte nga mbytja e anijes.
Brenda familjes Duff Gordon ajo njihej si “Unaza e Titanic-ut” dhe besohet se ka qenë unaza e saj e fejesës.
Ajo u nxor në shitje nga pasardhësit e drejtpërdrejtë të familjes dhe u hodh në ankand të shtunën në shtëpinë e ankandeve “Henry Aldridge & Son” në Devizes, Wiltshire.
Në vitin 1912, lady Duff Gordon udhëtonte drejt SHBA-së së bashku me bashkëshortin e saj, sir Cosmo, si pasagjerë të klasit të parë.
Gjatë evakuimit, çifti dhe sekretarja e tyre, Laura Mabel Francatelli, shpëtuan me varkën e shpëtimit numër 1.
Ndonëse varka ishte projektuar për të mbajtur 40 persona, ajo u ul në det me vetëm 12 vetë në bord, shtatë prej të cilëve ishin anëtarë të ekuipazhit.
Më vonë, në bordin e anijes së shpëtimit “RMS Carpathia”, sir Cosmo i dha secilit prej anëtarëve të ekuipazhit të varkës një çek prej 5 paundësh për t’i ndihmuar pasi kompania “White Star Line” u kishte ndërprerë pagat.
Ky veprim nxiti thashetheme se çifti kishte korruptuar ekuipazhin që të mos kthehej për të shpëtuar të mbijetuarit e tjerë në ujë, nga frika se varka mund të përmbytej.



