Liderët e opozitës në Kosovës i janë përgjigjur sot ftesës së presidentes Vjosa Osmani për një takim pas vendimit të saj dekretial për shpalljen e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar për medie pas takimit me Presidenten Osmani dhe krerët e partive të tjera opozitare.
“Ne ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, ku diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. Shpreh keqardhjen që kemi ardhur deri në këtë moment, nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë se një alternativë. Përgjegjësia kryesore normalisht i bie partisë fituese, më të madhe, sepse ka mundur me i dhënë vendit president. Ne si PDK kemi qenë mjaftueshëm konstruktiv dhe të hapur dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme që vendit me i dhënë president. Unë nuk i kam dhënë vija të kuqe askund në bashkëpunim me asnjë subjekt politik. Kam folur se ka mundësi edhe për marrëveshje politike para se me u kriju qeveria, nuk e kemi prit askënd te dera për me na ftu. Iu jam përgjigjur gjitha ftesave për takime, nuk kam shku në detale ku mbahet takimi, kur bëhet e si u bë ftesa. Qëllimi ka qenë që vendit me i dhënë institucione dhe mos të vazhdohet me këto bllokada”, tha ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se nuk është caktuar datë zyrtare për zgjedhjet. “Diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidenti e vlerëson, për afatin kushtetues rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka treguar cilat data janë përmendur si opsione për mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas tij, 5, 12 dhe 19 prilli janë si opsione, por mund të ketë edhe datë tjetër.
“Në opsion janë datat 5, 12 dhe 19 prill, mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër, varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar, sepse tash jemi në auto pilot. Ne i respektojmë cilëndo datë”, tha Haradinaj.(INA)


