Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj i ka kërkuar të premten Prokurorisë Themelore të Ferizajt që t’i hetojë të gjitha lejet ndërtimore që viteve të fundit i ka lëshuar Komuna e Ferizajt.
Qëndrimin e ka shprehur shefi i grupit parlamentar të LVV-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt, Brahim Osmani, në një konferencë për media, tre ditë pasi Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), njoftoi se ka filluar auditimin e performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt”, për periudhën 2021-2025.
Osmani ka thënë se LVV-ja ka mirëpritur nisjen e auditimit të lejeve ndërtimore, por pret që Prokuroria Themelore e Ferizajt t’i hetojë edhe gjetjet që viteve të fundit që ZKA-ja i kishte nxjerrë pas auditimeve të përformancës Komunës së Ferizajt.
“Nga këtu bëjmë thirrje që për çdo konstatim të Zyrës Kombëtare të Auditimit, prokuroria të marrë masa menjëherë dhe çdo zyrtar që ka bërë shkelje duhet të jetë në prokurori, apo në burg nëse ka bërë shkelje ligjore, sepse tashmë shkeljet ligjore janë të evidentuara në një pjesë të ndërtimeve që janë bërë”, ka thënë Osmani në një konferencë për media. ”Ju e dini që nuk ka as hapësira të gjelbra dhe as parkingje. Pra këto shkelje ligjore duhet të kenë edhe pasoja, nuk mund të jenë vetëm në letër”.
Arbër Bytyçi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ka thënë se Komuna e Ferizajt është e hapur jo vetëm për prokurorinë, por për këdo – përfshirë Osmanin – që dëshiron qasje në të gjitha lejet ndërtimore.
Ai ka thënë se e ka mirëpritur vendimin e ZKA-së që të auditohen lejet ndërtimore të lëshuara gjatë administratës së kaluar, kur gjithashtu ishte në krye të urbanizmit në ekzekutivin e kryetarit Agim Aliu.
“E kam thënë se jam i hapur për çdo proces, i mirëpritur prej anës tonë. Besoj se kam me i sqaru të gjitha çështjet sa u përket lejeve ndërtimore, po besoj, edhe zhurmave kam me u dhanë fund – zhurmave të kota të opozitës – pasi që nuk ka diçka që duhet me u mbajtë fshehtë”, ka thënë Bytyçi në një përgjigje nëpërmjet telefonit për KALLXO.com.KALLXO.com i ka dërguar pyetje Prokurorisë Themelore të Ferizajt, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.


