Shkup, 9 shtator – Me mesazhe të forta politike dhe premtime për investime konkrete në arsim, infrastrukturë dhe zhvillim lokal, nënkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka hapur shtabin komunal të koalicionit në Çair, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 19 tetorit.
Mexhiti tha se dallimi mes tij dhe rivalëve është thelbësor.
“Dallimi është se unë e lë Qeverinë për Çairin, ndërsa Bujari do ta keqpërdorë Çairin për të ardhur në Qeveri dhe për t’iu shpëtuar veprave penale që e presin. Bujari nuk është i zgjedhuri i Çairit, është i Soravisë”, deklaroi Mexhiti, transmeton PressOnline.al.
Ai akuzoi BDI-në për bashkëpunim me VMRO-në dhe për “tradhti ndaj interesave shqiptare”, duke përkujtuar periudhën e bashkëqeverisjes së tyre.
“11 vjet qeverisje Gruevski–Ahmeti dhe pak iu duk. Madje e ndihmuan Gruevskin edhe të ikë në Budapest, e takuan si ministër i jashtëm për ta rikthyer në politikë. Por kjo skenë politike shqiptare ka bij e bija që nuk lejojnë matrapazë me duar të përlyera me gjak shqiptar”, theksoi Mexhiti, percjell PressOnline.al.
Në planin lokal, lideri i VLEN-it në Çair theksoi se prioritet mbetet infrastruktura, arsimi dhe përkujdesi për fëmijët.
“Ju garantoj se në mandatin tjetër nuk do të flitet më për ujësjellësa, kanalizime apo asfaltime. Kërkojmë mandat për të mbyllur përgjithmonë çështjen e infrastrukturës nëntokësore në Çair”, tha Mexhiti.
Ai prezantoi edhe projektet konkrete për çerdhe dhe shkolla të reja:
“Vetëm në tre çerdhe të reja shtojmë kapacitet për mbi 1.000 fëmijë. Ndërsa me ndërtimin e shkollave të reja, nxënësit e Çairit do të mësojnë me një ndërrim dhe mësim tërëditor. Vota juaj do të mundësojë shkollë për fëmijë me nevoja të posaçme, si dhe kampusin e Universitetit ‘Nënë Tereza’ me vlerë 35 milionë euro”, u shpreh ai.
Mexhiti shtoi se VLEN ka arritur që Çairin ta shndërrojë në një zonë studentore me katër universitete, duke e transformuar edhe Çarshinë e Vjetër.
“Ne nuk kërkojmë votën për të mposhtur dikë, sepse ata janë të mposhtur që moti. Votën e kërkojmë për një Çair më të mirë, për rrugë, shkolla, universitete dhe për një të ardhme më të mirë për shqiptarët”, theksoi ai, njofton PressOnline.al.
Në fund të fjalimit të tij, Mexhiti u bëri thirrje edhe anëtarëve të pakënaqur të BDI-së që t’i bashkohen VLEN-it.
“I bëj apel çdo anëtari të BDI-së: mos gaboni më tepër. Derën çel e keni në VLEN, derën çel e keni në Çair, në fitoret e ardhshme të shqiptarëve. Hapjet e shtabeve po shndërrohen në tubime dhe kudo ndjehet era e ndryshimit dhe fitores”, deklaroi Mexhiti, percjell PressOnline.al.
Ai përfundoi duke falënderuar shtabin lokal dhe theksoi se VLEN është e hapur për çdo qytetar:
“VLEN-i është i shqiptarëve, VLEN-i është për shqiptarët. VLEN-i punon për të mirën e shqiptarëve. Përhajr dhe shihemi në fitoret tjera!”, përmbylli Mexhiti në hapjen e shtabit të Çairit.


