Jennifer Lopez nuk kishte nevojë për një fustan spektakolar për të tërhequr gjithë vëmendjen në Milano. Mjaftoi një këmishë e bardhë e lënë hapur, një palë pantallona të zeza dhe një detaj provokues që e ktheu daljen e saj në një tjetër moment mode.

Këngëtarja dhe aktorja 57-vjeçare u shfaq në kryeqytetin italian në prag të Javës së Modës në Milano, e cila nisi më 22 shtator dhe do të prezantojë koleksionet pranverë/verë 2027.
Lopez zgjodhi një këmishë të bardhë oversize, të cilën e mbajti tërësisht të hapur në pjesën e përparme, duke zbuluar një reçipetë të zezë poshtë saj. Ajo e kombinoi me pantallona të zeza me bel të lartë, me gjatësi ekstra, dhe taka shumë të larta platformë.

Për ta kompletuar pamjen, J.Lo zgjodhi një çantë të zezë të strukturuar nga Dolce & Gabbana, ndërsa aksesorët e artë dhe syzet e mëdha të diellit i dhanë look-ut edhe më shumë karakter.
Edhe pse në pamje të parë kombinimi duket klasik, Lopez i dha një kthesë shumë më sensuale. Tendenca e reçipetës së dukshme është shfaqur edhe në pasarelën e Prada-s këtë sezon, duke e bërë zgjedhjen e saj në Milano veçanërisht në sinkron me atmosferën e Javës së Modës.

Kjo është gjithashtu një rikthim i veçantë për Lopez në skenën e modës italiane. Hera e fundit që ajo ishte pjesë e Javës së Modës në Milano ishte në vitin 2019, kur mbylli spektaklin e Versace-s me një version të ri të fustanit ikonik jeshil që kishte veshur në Grammy Awards në vitin 2000.
Por J.Lo nuk është shfaqur në Milano vetëm me një look. Vetëm pak ditë më parë, ajo u fotografua me një tjetër kombinim të Valentino-s: një xhaketë të gjatë me vija, një fund me motive lulesh dhe shkëlqim metalik, këpucë me taka dhe aksesorë të artë.

Këtë herë, megjithatë, ishte pamja bardhë e zi ajo që mori gjithë vëmendjen. Një kombinim që mund të dukej fare i zakonshëm te dikush tjetër, por që Jennifer Lopez e ktheu në një deklaratë mode, duke dëshmuar edhe një herë se për të, edhe një këmishë e bardhë mund të bëhet pjesa më e komentuar e një daljeje në Milano.


