Një muaj pas vdekjes së papritur të Hayden Panettiere, njerëzit që e deshën dhe e shoqëruan gjatë jetës u mblodhën në Malibu për t’i dhënë lamtumirën aktores në një ceremoni të mbushur me muzikë, kujtime, lot dhe momente të ngrohta.
Ceremonia private u zhvillua më 19 shtator në një kishë në Malibu, ku u mblodhën familjarë, miq dhe kolegë të Panettiere-s. Sipas burimeve të ndryshme, në event morën pjesë rreth 80 deri në 150 persona.

Mes të pranishmëve ishin disa prej emrave më të afërt me aktoren, përfshirë ish-kolegët e saj nga seriali “Nashville”, Connie Britton, Charles Esten, Lennon Stella, Jonathan Jackson dhe Sam Palladio. Në ceremoni u panë gjithashtu Ruby Rose, Evan Ross dhe Paris Hilton. Babai i Hayden, Alan “Skip” Panettiere, ishte gjithashtu i pranishëm.
Organizatorët e përshkruan ceremoninë si një mbrëmje të krijuar për të kujtuar Hayden përmes dashurisë dhe kujtimeve, larg atmosferës së rëndë që shpesh shoqëron ceremonitë mortore.
Ne donim ta nderonim Hayden në mënyrën më të mirë që dinim: me sa më shumë dashuri të ishte e mundur
-thanë miqtë e saj Sanoe Lake, Allie Beattie dhe Emily Buckingham, të cilët ndihmuan në organizimin e eventit.
Ata e përshkruan ceremoninë si “të bukur dhe intime”, ku miqtë u mblodhën për të festuar jetën e saj dhe ndikimin që kishte pasur te njerëzit përreth.
Mbrëmja nisi me një moment simbolik: u lëshuan pëllumba, si shenjë paqeje dhe lirie. Më pas, të ftuarit morën pjesë në një ceremoni ku ndanë histori dhe kujtime personale për aktoren.
Një prej momenteve më emocionale ishte performanca e Charles Esten, bashkë-yllit të Hayden në “Nashville”. Ai interpretoi një nga këngët e serialit, “Free”, e cila ishte kënduar edhe nga vetë Panettiere. Në ceremoni pati gjithashtu një performancë hula nga Ka’ala Clarke, një homazh për dashurinë e Hayden për Hawaiin.
Në fund të ceremonisë u dëgjuan tre goditje zileje, një simbolikë që një mik i vjetër e lidhi me një traditë lamtumire për ushtarët e rënë. Pas ceremonisë, të ftuarit u mblodhën në një pritje ku u shërbyen ushqime dhe disa prej ëmbëlsirave të preferuara të Hayden.
Ruby Rose, e cila kishte qenë një prej mikeve më të afërta të Panettiere-s, ishte mes atyre që e përjetuan më emocionalisht humbjen. Pak ditë para ceremonisë, ajo kishte treguar se të dyja kishin komunikuar pothuajse çdo ditë për pesë vjet dhe e kishte quajtur Hayden “shoqen time më të mirë”.
Hayden Panettiere u nda nga jeta më 16 gusht, në moshën 36-vjeçare, pasi u gjet pa ndjenja në një banesë në Greenville, South Carolina. Autoritetet kanë konfirmuar se hetimi vazhdon dhe se shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë publik, në pritje të rezultateve toksikologjike. Përfaqësuesja e saj ka kërkuar që publiku të mos spekulojë mbi rrethanat e vdekjes.
Pavarësisht dhimbjes, ceremonia në Malibu nuk u konceptua vetëm si një lamtumirë. Për njerëzit që e njihnin Hayden, ajo ishte një mundësi për të kujtuar gruan pas ekranit energjinë, talentin, humorin dhe gjurmën që la te ata që e patën pranë.
Në një mbrëmje ku kishte lot, por edhe muzikë, të qeshura dhe histori personale, miqtë e saj zgjodhën ta kujtonin Hayden Panettiere jo vetëm për mënyrën tragjike se si u nda nga jeta, por për jetën që ajo jetoi dhe dashurinë që u la njerëzve të saj.


