LSDM: Skandal i ri në Agjencinë Kombëtare Erasmus, Ana Mihajlov e dyshuar nga OLAF, emërohet drejtuese e përkohshme?

featured
Press Online
12 Gusht 2025, 14:14

Konferencë për shtyp, Jovica Jankoviq, zv/president i Rinisë Social Demokrate të Maqedonisë

LSDM: Skandal i ri në Agjencinë Kombëtare Erasmus, Ana Mihajlov e dyshuar nga OLAF, emërohet drejtuese e përkohshme?

Të nderuar,

Sot publikojmë një skandal të ri të pushtetit.

Para syve të gjithë publikut, Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit po e rikthen përsëri mafian partiake të VMRO-së në Agjencinë Kombëtare për Programet Evropiane Arsimore, e cila menaxhon fonde miliona euro nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+.

Para dhjetë ditësh, më saktë më 1 gusht, në vendin e drejtorit të përkohshëm të Agjencisë, pa transparencë dhe pa konsultime me Bashkimin Evropian, është emëruar Ana Mihajlov.

Pyetja kryesore është çfarë fshihet pas emërimit të Anës në krye të Agjencisë, e cila më parë ishte në qendër të skandalit më të madh në këtë institucion?

Konkursi u anulua dhe arsyet për anulimin mbeten mister.

As mënyra, as koha e emërimit nuk janë aspak rastësi.

Tani po fillojnë zgjedhjet lokale dhe më e rëndësishmja, po përfundon hetimi për rastet që OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimeve, i dorëzoi Prokurorisë maqedonase.

Në këto dokumente, sipas informatave nga burime brenda, Ana Mihajlov figuron si e dyshuar.

Ky është raporti zyrtar i OLAF-it nga viti 2023, ku qartë thuhet se ekziston dyshim i arsyeshëm për keqpërdorim të mbi 2 milion eurove në periudhën e qeverisjes së kaluar nën regjimin e Gruevskit, për periudhën që nis në vitin 2016.

Siç është përmendur, janë identifikuar mbi 50 persona fizikë dhe juridikë në Maqedoni dhe në pesë vende anëtare të BE-së, të gjithë pjesë e skemës së VMRO-së. Përmes kuadrove të brendshme të VMRO-së, të punësuar në agjenci, janë rrjedhur informacione për aplikantë dhe vlerësues.

Një kompani e jashtme ka menaxhuar projekte të mbi 15 shkollave, që paraqet shkelje flagrante të marrëveshjeve të granteve.

Prokuroria ende nuk ka ngritur aktakuzë për këtë çështje plotësisht të dokumentuar, të dorëzuar në prokurori në vitin 2023 dhe rikthyer sërish në vitin 2024.

Nga burime brenda Agjencisë, LSDM merr informacion se pushteti ushtron presion të fortë për të penguar hetimin e Prokurorisë.

A është kjo arsyeja, sepse hetimi çon drejtpërdrejt tek Ana Mihajlov dhe vlerësuesit e saj më të afërt familjarë dhe miq të lidhur me VMRO-DPMNE-në?

Pyetim:

A është kjo arsyeja pse u anulua konkursi i mëparshëm për drejtor?

Me cilat kritere u emërua pikërisht Ana Mihajlov dhe pse pikërisht tani?

A fshihet pas emërimit të Mihajlov qëllimi i vërtetë i pushtetit për të bllokuar hetimin e Prokurorisë dhe OLAF-it?

Kjo është rikthim i mafies së VMRO-së në Agjenci dhe publiku pret përgjigje.

LSDM do të vazhdojë këtë temë dhe do ta informojë opinionin për të gjitha detajet dhe informacionet që disponojmë për këtë skandal.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter