Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar në lidhje me zërat e përhapur së fundmi për blerjen e votave në zonat shqiptare, veçanërisht në Çair, ku sipas tij përmenden shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro për votë.
Në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, Selimi thekson se, ndonëse klientelizmi dhe blerja e votës janë fenomene reale në politikën vendore, një element thelbësor po harrohet: dinjiteti personal dhe ai kolektiv i shqiptarëve.
“Po, klientelizmi është faktor i padiskutueshëm në përcaktimin e votës, përfshirë edhe blerjen klasike me para në dorë. Por ajo që nuk llogarisin është diçka më e madhe: dinjiteti personal dhe ai kolektiv”, shkruan Selimi, përcjell PressOnline.al
Ai kritikon mentalitetin që nënvlerëson ndërgjegjen qytetare të shqiptarëve, duke rikujtuar vlerat tradicionale të nderit dhe besës që, sipas tij, janë ende të gjalla në shoqëri.
“Harrojnë se shqiptarët janë vrarë për motive banale si për një vendparkim, ngacmimi i motrës, nënës apo gruas, një shikim i shtrembër. Harrojnë ‘ABC-në e Kreshnikëve’ të Mitrush Kutelit. Harrojnë se shqiptari nuk ta fal kur e shkel. Dhe, me gjithë të këqijat e devijimet, harrojnë se ‘Besa e shqiptarit’ ende jeton. Dhe me të edhe dinjiteti”, përfundon Selimi.
Ky reagim vjen në një kohë kur debati për integritetin e zgjedhjeve dhe ndikimet e parasë në rezultatin e votës po përshkallëzohet, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale 2025.(PressOnline.al)








