Procedurat e stërzgjatura administrative për ndërtimin e aksit të mbetur prej 10.8 kilometrash të autostradës Shkup – Bllacë kanë marrë një epilog zyrtar me përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet në terren.
Pas përmbylljes me sukses të tenderit ndërkombëtar në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), autoritetet kanë thyer praktikën e deritanishme të dhënies së megaprojekteve infrastrukturore për operatorët e huaj, duke ia besuar tërësisht projektin konsorciumit vendas të udhëhequr nga kompania vendore të ndërtimit “Granit”.
Sipas njoftimit zyrtar nga Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, pas takimit të përbashkët me Ministrin Aleksandar Nikoloski, drejtorin e BERZh-it, Fatih Turkmenogllu, dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët pritet të bëhet javën e ardhshme, menjëherë pas kompletimit të garancive bankare për kredinë dhe grantin e siguruar nga Bashkimi Evropian.
Ndërkaq, dalja e makinerive në terren dhe fillimi zyrtar i punimeve ndërtimore, përfshirë vendosjen e gurthemelit, është caktuar saktësisht për në fillim të muajit korrik të këtij viti.
Ky aks rrugor parashihet si një ndërmarrje mjaft e ndërlikuar dhe e rëndë inxhinierike për shkak të konfiguracionit të vështirë gjeografik, ku brenda këtyre kilometrave planifikohet ndërtimi i 5 tuneleve të reja, 12 urave dhe 2 galerive mbrojtëse, që kapin një total prej rreth 40 objektesh infrastrukturore.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, theksoi se plani dinamik parashikon që kontraktori t’i përfundojë të gjitha punimet brenda një afati prej 3.5 vitesh, duke siguruar kështu një lidhje të plotë dhe moderne autostradale që do të shërbejë si arterie kryesore tranziti për Kosovën dhe Malin e Zi.
Ky zhvillim ka ndezur menjëherë rrjetet sociale, ku krerët e koalicionit VLEN kanë shfrytëzuar momentin për të shpallur një “epokë të re” dhe për të goditur premtimet e dështuara të qeverisjes së kaluar.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti reagoi në Facebook duke shkruar se ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave, duke premtuar se çdo angazhim po kthehet në punë për një ekonomi më të fortë. Në të njëjtën linjë, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, pohoi se autostrada po bëhet realitet dhe se koha e demagogjisë shterpe ka mbaruar, duke shtuar se Shkupi dhe Prishtina sot janë më afër se kurrë.
Menjëherë ka pasur edhe një reagim të ashpër nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, të cilët akuzojnë pushtetin e ri se po lavdërohet med projektet e tyre. Sipas integristëve, ka qenë pikërisht qeveria e udhëhequr nga BDI ajo që e ka ideuar, disejnuar, projektuar dhe buxhetuar autostradën Shkup – Bllacë. Është skandaloze që kjo arterie kryesore dhe e rëndësishme është lënë pasdore për dekada, edhe pse Kosova ka qenë dhe është partneri kryesor i shkëmbimit tregtar me Maqedoninë e Veriut, por kjo arterie e shkurtër përpos lidhjes me Kosovën e lidh vendin me destinacione të rëndësishme si Shqipërinë dhe Malin e Zi. (INA)







