Iku Qyra, erdhi Aliu – nga një Alush në një Balush

featured
Press Online
26 Korrik 2025, 15:27

Iku një dështak, erdhi një tjetër! Kështu mund të përshkruhet më së miri zhvillimi i fundit në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), ku Mendi Qyra dha dorëheqje nga posti i kryetarit, për t’u bërë… kandidat për kryetar të Strugës. Në vend të tij, me një zë unanimiteti të kontrolluar, u caktua ushtrues detyre Nuhi Aliu – një tjetër figurë që vështirë se ngjall entuziazëm, shkruan PressOnline.al

Në vend të reflektimit për ngecjet, dështimet dhe inekzistencën reale të OEMVP-së në jetën ekonomike të shqiptarëve, dorëheqja e Qyrës u paketua si “akt ndërgjegjeje” dhe “respektim i statutit”. Në të vërtetë, Oda ka qenë për vite me radhë një kasafortë bosh e rrethuar me retorikë, ku nuk ka pasur as zhvillim ekonomik, as politika publike, dhe as zë të strukturuar në mbrojtje të biznesit shqiptar.

Ironikisht, gjatë gjithë këtyre viteve, OEMVP-ja ka marrë më shumë vëmendje, hapësirë dhe përkrahje nga mediat maqedonase sesa nga ato shqiptare, për të mos folur për mungesën totale të transparencës dhe bashkëpunimit me gazetarët e pavarur shqiptarë. Në vend që të jetë motor i zhvillimit dhe komunikimit publik me komunitetin, Oda është kthyer në një klub të mbyllur, ku më shumë ka rëndësi kush udhëheq, sesa çfarë bëhet.

Qyra, i njohur më shumë për fotografitë me kostum sesa për rezultate konkrete, tani kërkon votën e qytetarëve të Strugës – ndërsa në OEMVP lë një institucion pa asnjë ndikim të ndjeshëm në jetën reale të bizneseve që supozohet të përfaqësojë.

Ndërkohë, Nuhi Aliu – i emëruar pa zhurmë e pa debat – premton bashkëpunim dhe “vendimmarrje kolektive”, por pa një plan konkret se si do të nxjerrë Odën nga hija e vet. Në vend të iE madhee për zhvillim ekonomik, promovim të prodhimit vendor, ose qasje strategjike për mbrojtjen e bizneseve shqiptare në Maqedoni, po vazhdon e njëjta praktikë: emërime të mbyllura dhe vetëlavdërime për “stabilitet institucional”.

Një gjë është e sigurt – Oda Ekonomike nuk e përjeton krizën nga mungesa e liderëve, por nga mbipopullimi me pseudo-liderë.

Për të keqen e ekonomisë shqiptare, shkoi një pasiv dhe erdhi një tjetër. Rreth i mbyllur, dështim i hapur.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter