VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e BDI-së

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 15:19

VLEN ka reaguar ndaj BDI-së, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë politike e kësaj partie, por sakrificë e një populli të tërë. Nga VLEN akuzojnë BDI-në se për 24 vite e ka përvetësuar këtë marrëveshje, ndërsa ka lënë pa zgjidhje çështje kyçe si decentralizimi, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, autostrada Shkup–Bllacë dhe zhvillimi i komunave shqiptare.

Në vazhdim, komunikata e plotë e subjektit politik VLEN:

Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e BDI-së. Nuk është tapia e tyre. Është sakrificë e një populli të tërë. Për 24 vite pushtet të atyre që e përvetësuan këtë sakrificë, shqiptarët panë gjithçka, por më së shumti panë punë të lëna përgjysmë e zgjidhje shkel e shko.
Për 24 vite, shqiptarët nuk e panë asnjëherë të materializohet decentralizimi. Mjafton të shikohen komunat ku këta patriotë qeverisën dhe gjithçka bëhet e qartë.
Për 24 vite, parimin kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, nuk e bënë asnjëherë ligj.
Për 24 vite, dëgjuam shumë fjalë e pamë shumë pak punë për rrugën Shkup–Bllacë. E premtuan në vitin 2008, në vitin 2011, në vitin 2014, në vitin 2017, në vitin 2020 dhe në vitin 2023. Rezultati ishte i njëjtë: zvarritje, punë gjysmake dhe propagandë.
Kjo është dosja politike e një pushteti që për 24 vite foli në emër të shqiptarëve, por punoi për vete.
Për 24 muaj, prej kur VLEN mori besimin e shqiptarëve për t’i përfaqësuar dhe sot, kur shënojmë dy vite nga ky besim, kemi hapur procese që BDI nuk i hapi për dy dekada.
Për 24 muaj, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat më në fund po bëhet ligj. Po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit.
Për 24 muaj, përmes Planit Operativ për Punësim, një aset i çmuar i qeverisjes së VLEN-it, po hapim mundësi për punësim, vetëpunësim dhe mbështetje të të rinjve, që ta ndalim hovin e shpërnguljeve.
Për 24 muaj, autostrada Shkup–Bllacë nga gjendja vendnumëro po hyn në fazë realizimi dhe zhbllokimi.
Për 24 muaj, Korridori 8 nuk përdoret për propagandë, por sot punohet në terren, hapen rrugë, lidhen komunat dhe krijohet zhvillim.
Për 24 muaj, decentralizimin e kemi kthyer në politikë konkrete, me mjete dhe me hisen tonë të merituar. Kemi siguruar 100 milionë euro për mbi 1.200 projekte në komuna.
Për 24 muaj, zgjidhëm statusin e medresantëve, zyrtarizuam tre fakultete, po investojmë në kampusin e UNT-së dhe nënshkruam marrëveshje kolektive me universitetet tona.
Dielli s’mbulohet me shosh. Ata e përdorën Marrëveshjen e Ohrit për t’i mbushur xhepat, ne ndërtojmë komunat, sjellim ligje dhe japim zgjidhje.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter