Në një sesion të posaçëm të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoni, u kërkua me urgjencë rishikimi i ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, të cilat, sipas ekspertëve, kanë dobësuar ndjeshëm luftën kundër korrupsionit të lartë dhe kanë minuar efektivitetin e konfiskimit të pasurisë së fituar përmes krimit, informon PressOnline.al
Ekspertët kërkuan nga Ministria e Drejtësisë që të përgatisë ndryshime ligjore në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa qeveria të sigurojë mbështetjen e nevojshme politike për këtë reformë.
Në rekomandimin nr. 5 të Konventës Kombëtare për BE-në në Maqedoni thuhet:
“Korniza e re ligjore duhet të mundësojë zbatimin e plotë të konfiskimit të zgjeruar, konfiskimit pa aktgjykim dhe zhvillimin e hetimeve financiare në rastet kur ekzistojnë baza juridike. Sekretariati për Çështje Evropiane do të ndjekë procesin e harmonizimit me kornizën ligjore evropiane.”
Po ashtu, ekspertët e Konventës theksuan se konfiskimi i pasurisë së fituar me krim nuk mund të jetë i suksesshëm pa ndëshkimin e duhur të zyrtarëve që janë vetë të përfshirë në korrupsion.
Në rekomandimin nr. 6 thuhet:
“Integriteti i dobët i zyrtarëve, veçanërisht në institucionet që merren me hetime penale, analiza financiare dhe menaxhimin e rasteve për konfiskimin e pasurisë, e minon të gjithë procesin. Prandaj është e domosdoshme zbatimi i efektshëm dhe konsekuent i sanksioneve për rastet e konfliktit të interesit, pasurisë së pa raportuar dhe sjelljes korruptive, veçanërisht për personat e përfshirë në hetime financiare dhe menaxhimin e pasurisë së konfiskuar.”
Sipas Policisë Financiare, institucionet kompetente ende nuk kanë një mekanizëm formal për shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave, që është thelbësor për një luftë efikase kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
“Për të pasur një luftë efektive kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, institucionet duhet të kenë një mekanizëm të formalizuar për shkëmbim të informacioneve, që aktualisht mungon”, thuhet nga Policia Financiare, përcjell PressOnline.al
Raste të fundit me profil të lartë, që lidhen me konfiskimin e pasurisë me vlerë mbi 3 milionë euro, përfshijnë ish-shefin e policisë sekrete, Sasho Mijallkov dhe kushëririn e tij, ish-kryeministrin Nikola Gruevski. Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar i ka nxjerrë në shitje apartamentet luksoze të Mijallkovit, të cilat u blenë nga djali i tij, Jordan Mijallkov. Ndërkohë, pasuria e konfiskuar e Gruevskit ende po pret miratimin nga qeveria për të kaluar në procesin e ankandit publik.(PressOnline.al)







