ASH: Projekti “Bota Serbe” po avancon në Maqedoni – VLEN hesht për rrezikun

featured
Press Online
30 Qershor 2025, 10:05

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj raportit të fundit të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili, sipas kësaj partie, konfirmon përfshirjen e aktorëve të huaj malinj në Maqedoninë e Veriut dhe rritjen e ndikimit të projekteve si “Bota Serbe”, të ndërlidhura me Beogradin, Moskën dhe Budapestin.

Në një reagim të shpërndarë për mediat, ASH thotë se këto paralajmërime i ka dhënë prej muajsh, por tashmë janë bërë pjesë e një dokumenti zyrtar të BE-së, duke vërtetuar rrezikun që i kanoset sovranitetit të shtetit dhe orientimit euroatlantik të vendit, përcjell PressOnline.al.

Raporti, sipas ASH, denoncon qartë rolin destabilizues të mediave serbe të afërta me Kremlinin, ndërsa veçon si veçanërisht të rrezikshme për Maqedoninë e Veriut mbështetjen që disa figura të qeverisë aktuale në Shkup po i japin projektit të “Botës Serbe”. ASH përmend edhe shqetësimin mbi borxhet kineze të marrë përmes Hungarisë, që konsiderohen si pjesë e një strategjie më të gjerë të ndikimit gjeopolitik të Kinës në Ballkan.

Megjithatë, shqetësimi më i madh i ASH-së mbetet heshtja e partnerëve shqiptarë në pushtet.

“VLEN mohon realitetin, relativizon ndikimin serb dhe hesht për praninë e Ivan Stolkoviçit në qeveri – një figurë që përfaqëson jo vetëm interesat e Beogradit, por edhe linjat e Moskës dhe Pekinit në rajon”, thuhet në reagim.

ASH ngre pikëpyetje serioze për qëndrimin e zëvendëskryeministrit Arben Fetai, duke e konsideruar deklaratën e tij si një përpjekje për të normalizuar ndikimin serb në qeveri.

“Është koha që çdo shqiptar të kuptojë se VLEN është bërë pjesë e lojës së rrezikshme të agjenturave të huaja, duke e legjitimuar politikisht projektin e ‘Botës Serbe’ në qeverisje”, deklaron partia.

ASH bën thirrje për një reagim të menjëhershëm nga të gjitha forcat politike shqiptare, institucionet dhe shoqëria civile, duke kërkuar që të ndalet urgjentisht “uzurpimi i shtetit nga interesa të huaja” dhe që të mos shkelet mbi interesat kombëtare në emër të pushtetit.

“Është koha për vetëdijësim politik dhe qytetar. Heshtja është bashkëfajësi”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter