Botërori 2026/ Alarm për të nxehtin mbytës në Miami, temperaturat arrijnë 48.8 gradë Celcius

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 04:06

Futbollistët që do të udhëtojnë drejt Miamit për të zhvilluar ndeshjet e Botërorit do të duhet të përballen me një kundërshtar shtesë: të nxehtin përvëlues dhe lagështinë e lartë, të cilat rrezikojnë ta shndërrojnë turneun në një provë të vërtetë rezistence fizike.

Në këtë qytet u zhvillua ndeshja mes Arabisë Saudite dhe Uruguajit, ndërsa po aty do të luhen edhe sfidat e tjera të fazës së grupeve, si Uruguaj–Kepi i Gjelbër, Skoci–Brazil dhe Kolumbi–Portugali. Miami do të presë gjithashtu një ndeshje të fazës së 1/16-ave, një çerekfinale si dhe finalen për vendin e tretë.

“Skuadrat që vijnë nga vende me klimë më të freskët përballen me një rrezik të veçantë nëse nuk marrin kohën e nevojshme për t’u përshtatur me kushtet klimatike të Miamit”, paralajmëroi Dr. Jason Kostrna, profesor asistent në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës.

“Për fat të keq, këtu në Miami ka shumë lagështi. Kur dilni për të bërë aktivitet fizik, djersitni shumë, por djersa nuk avullon siç duhet. Ajo thjesht del nga trupi, duke mos lejuar çlirimin efektiv të nxehtësisë”, shpjegoi ai.

Beteja fiziologjike është intensive. Ndërsa organizmi i futbollistëve përpiqet të freskohet, zemra punon më fort për të pompuar gjakun drejt lëkurës në një përpjekje për të larguar nxehtësinë përmes avullimit. Megjithatë, ky proces bëhet shumë më pak efektiv në ajrin e lagësht dhe mbytës të Miamit.

Temperaturat në qytetet organizatore të Botërorit kanë arritur tashmë nivele mbi mesataren historike. Kostrna paraqiti një panoramë shqetësuese, duke theksuar se në disa ndeshje temperatura e perceptuar mund të arrijë deri në 48.8 gradë Celsius, nëse merren parasysh nxehtësia rrezatuese, lagështia, temperatura e ambientit dhe efekti shtesë i betonit.

Autoritetet lokale kanë nisur të marrin masa për të zbutur efektet e të nxehtit për tifozët në Miami Stadium. Sipas zyrtarëve të Miami-Dade, do të instalohen stacione freskimi, pika hidratimi, rimorkio me ujë dhe zona me mjegull artificiale.

Megjithëse gjatë ndeshjeve janë parashikuar dy pauza nga tre minuta për hidratim dhe freskim, Kostrna theksoi se këto masa shërbejnë vetëm si zgjidhje emergjente në rast se futbollistët nuk janë hidratuar siç duhet në ditët para ndeshjes.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter