Arben Halili: Plani i Punësimit 2025 është i papërfshirë dhe politizuar

featured
Press Online
30 Qershor 2025, 12:49

Në konferencë për shtyp, Arben Halili nga Aleanca për Shqiptarët prezantoi analizën kritike të Planit Operativ për Programet Aktive të Punësimit për vitin 2025, të publikuar nga Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut, informon PressOnline.al

Halili theksoi se: “Ky plan tenton të paraqitet si ambicioz, por në fakt nuk është gjithëpërfshirës. Fokusimi vetëm te të rinjtë deri në 29 vjeç, duke lënë jashtë gratë, të papunët në zonat rurale dhe grupet e tjera, është qasje e papranueshme.”

Ai gjithashtu kritikoi mungesën e transparencës në ndarjen e mjeteve dhe përzgjedhjen e përfituesve, duke shtuar:

“Mungon një sistem i pavarur për matjen e rezultateve. Nuk publikohen të dhëna për përfituesit apo kriteret e përzgjedhjes, gjë që dëmton besimin publik dhe krijon hapësira për përzgjedhje jo meritore dhe politizim.”

Arben Halili vuri në dukje edhe mungesën e përfshirjes së sektorit privat në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe theksoi se:
“Programi fokusohet kryesisht në sektorin publik dhe punë sezonale, pa masa që motivojnë investimet e huaja apo bashkëpunimin afatgjatë me biznesin.”

Aleanca për Shqiptarët kërkon:

Zgjerim të mbështetjes për gratë dhe të papunët afatgjatë;

Përfshirje aktive të sektorit privat dhe transparencë përmes një portali publik;

Rritje të buxhetit për masa efektive, jo populiste;

Lirim nga detyrimet për kontribute sociale për përfituesit e vetpunësimit gjatë dy viteve të parë.

Në përfundim, Halili shtoi:

“Qeveria ka detyrim të sigurojë që çdo euro e shpenzuar në emër të punësimit të ketë ndikim real dhe të matshëm. Planet operative 2024 dhe 2025 nuk sjellin zgjidhje të reja për sfidat strukturore, por vetëm riprodhojnë të njëjtat gabime.” (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter