Maqedonia e Veriut përballet me një rrezik real të një vale të re inflacioni, nëse përshkallëzohet konflikti mes Iranit dhe Izraelit – paralajmëron akademik Taki Fiti. Duke folur në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve (ASHAM), Fiti theksoi se impaktet gjeopolitike globale po rrezikojnë seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit.
“Nëse ky konflikt vazhdon, prirjet inflacioniste mund të shpërthejnë sërish. Kjo është një rrezik i madh për Maqedoninë. Do të rriten kostot e prodhimit për të gjitha bizneset, çka është një problem shumë serioz”, u shpreh Fiti, përcjell PressOnline.al
Ai theksoi se peizazhi gjeopolitik është bërë jashtëzakonisht i paqëndrueshëm: “Lufta Rusi-Ukrainë, lufta tregtare e nisur nga Trump, dhe tani konflikti Iran–Izrael – e gjithë kjo rrit rrezikun ekonomik në rajon dhe më gjerë.” Rritja e çmimit të naftës, si input kyç në industri dhe teknologji, sipas tij, mund të shkaktojë efekt zinxhir.
Struktura e brishtë ekonomike dhe rreziku i inflacionit të importuar
Akademiku përkujtoi se gjatë krizës së kaluar energjetike, Maqedonia kishte normë inflacioni më të lartë se mesatarja në rajon, pikërisht për shkak të varësisë nga importet.
“Nëse rriten çmimet në tregjet ndërkombëtare, efekti importohet automatikisht edhe te ne. E ardhmja varet nga kohëzgjatja e konfliktit”, tha ai, duke shtuar se kjo mund të çojë vendin në një situatë të rrezikshme me rritje të ulët ekonomike dhe papunësi të lartë.
Kundër masave direkte për çmime – Komisioni i Konkurrencës duhet të veprojë
Në lidhje me planin e Qeverisë për ndërhyrje në çmime pas përfundimit të masave për kufizimin e marzhave, Fiti theksoi se ndërhyrjet direkte janë kundërproduktive dhe duhen zëvendësuar me masa indirekte.
“Sistemi i ngrirjes së çmimeve sjell efekte afatshkurtra dhe pasoja të rënda më pas. Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka kompetenca dhe detyrim të veprojë, jo të presë sinjale. Ai është garant i tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme”, nënvizoi ai, përcjell PressOnline.al
Bujqësia – subvencione që nuk japin efektin e pritur
Një kritikë e drejtpërdrejtë erdhi edhe për politikat bujqësore. “Subvencionet e mëdha nuk kanë sjellë rritje të ndjeshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto në sektor. Sistemi aktual bazohet në sipërfaqe të mbjella, por shpesh paratë shkojnë në duar të gabuara”, tha Fiti, duke propozuar orientim drejt subvencioneve të bazuara në produktin real të prodhuar.
Ai shtoi se politika aktuale shpesh ndikohet nga kalkulime elektorale, pasi bujqit përbëjnë një bazë të rëndësishme votuesish. “Bujqësia duhet të jetë një nga prioritetet për zhvillimin e ardhshëm të shtetit”, përfundoi ai.(PressOnline.al)



