BDI analizon terrenin për zgjedhjet lokale: Kandidatë edhe në Gostivar e Saraj, bashkëpunim i rezervuar me ASH-në e Taravarit

featured
Press Online
19 Qershor 2025, 14:31

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe aktori qendror i Frontit Europian, ka nisur përgatitjet intensive për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë. Burime të sigurta brenda Frontit Europian kanë konfirmuar për PressOnline.al se brenda strukturave të BDI-së kanë nisur anketimet për kandidatët potencialë, përfshirë edhe komunat Gostivar dhe Saraj.

Çështja e bashkëpunimeve të brendshme në Frontin Europian mbetet delikate. Sipas burimeve tona, degët dhe kryesia qendrore e BDI-së janë të rezervuara për bashkëpunim të thelluar me Aleancën për Shqiptarët të drejtuar nga Arben Taravari. Megjithatë, vihet re një vlerësim pozitiv për krahun e ndarë të kësaj partie, atë të Ziadin Selës.

“Ka respekt për Selën dhe rolin e tij politik, por është e vërtetë që në një moment kritik për shqiptarët në Maqedoni, kur duhej të ruhej uniteti përballë forcave ekstreme, ai zgjodhi të afrohej me BDI-në, dhe kjo mbetet një pikë diskutimi,” thekson burimi ynë nga Fronti.
Ndërsa konsultimet vazhdojnë, skema e shpërndarjes së komunave mes partnerëve të Frontit Europian po merr formë. Ziadin Sela, me strukturat e tij lokale, pritet të ketë kandidatin kryesor në Strugë, komunë ku ka një bazë të fortë elektorale. Por gjithashtu, burimet brenda Frontit konfirmojnë se krahu i Selës mund të ketë mundësinë të propozojë kandidatë edhe në komunat e Dibër dhe Haraçinë.

Ndërkohë, partia “Populli” e Skender Rexhepit - Zejd, e cila ka fituar terren si një partner besnik i Frontit Europian, ka shfaqur interes për të garuar në Studeniçan – ose me bartës të listës për këshilltar, ose me kandidat për kryetar komune.

Vendimi që BDI të mos tërhiqet nga gara në disa komuna, siç përflitej më herët, por përkundrazi të analizojë kandidaturat për të garuar në çdo njësi të rëndësishme lokale, tregon një strategji të qartë: të ruajë peshën politike dhe strukturën territoriale të partisë. Kjo nismë përkrah edhe synimin e liderit Ali Ahmeti për të forcuar pozitat e Frontit Europian si bllok dominues politik shqiptar, përballë qeverisë së re të VMRO-DPMNE-së dhe përballë klimës në rritje të nacionalizmit maqedonas.

Sipas burimeve të PressOnline.al, në rast se krahu i Aleancës për Shqiptarët i drejtuar nga Arben Taravari arrin në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në ndonjë komunë kundër koalicionit VLEN, ai do të përfitojë mbështetjen e plotë politike nga Fronti Europian.

Zgjedhjet lokale të vjeshtës po formësohen si një provë e rëndësishme për unitetin dhe fleksibilitetin e Frontit Europian. Nëse BDI arrin të balancojë garën aktive me respektin ndaj partnerëve të Frontit, mund të rikonfirmojë rolin e saj si forca udhëheqëse në skenën politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter