Filloi si një ide para më shumë se një vit nga frustrimi i krijuar me përdorimin e një numri të madh aplikacionesh për të bashkëpunuar mes ekipeve të ndryshme, Neuroni është krijuar me një objektiv të qartë: rritjen e produktivitetit të një ekipi dhe rrjedhimisht përkthehet në impakt pozitiv në zhvillimin më shpejtë të një biznesi, projekti apo iniciative.
Themeluar nga Hakan Shehu, një inxhinier softueri nga Prishtina, prej vlerave të shumta që Neuroni sjell në industri janë lehtësimi dhe automatizimi i disa punëve të përditshme që kanë nevojë për bashkëpunim mes ekipeve kryesisht nga industria e teknologjisë.
“Frymëzimi kryesor për zhvillimin e Neuronit ka qenë eksperienca e mëparshme me aplikacionet e ndryshme si dhe zhvillimi i fundit i inteligjencës artificiale,” tha Hakani.
Aktualisht Neuroni është në fazën e testimit të mbyllur ndërsa po përgatitet për lançim në treg. Në edicionin e 12-të të Albanian ICT Awards u vlerësua me çmimin Inovacioni i Vitit ndërsa u përzgjodh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për tu bërë pjesë e programit Star Venture pa garë.
Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen ekipet është gjetja e informacionit të duhur i cili shpeshherë është i shpërndarë në vende të ndryshme duke krijuar ngadalësim të punëve dhe nganjëherë edhe keqkuptime.
“Pas testimit të mjeteve të ndryshme për bashkëpunim, asnjë prej tyre nuk rezultoi i kënaqshëm. Më pas, gjatë pushimit dimëror në fund të vitit të kaluar, filloi planifikimi dhe dizajnimi sesi mund të zhvillohej një aplikacion që i ka të gjitha nevojat e bashkëpunimit në një vend,” tha Hakani.
Pjesa e parë e vitit për Neuronin ishte një fazë eksperimentale me teknologji të ndryshme që ishin të nevojshme për të krijuar platformën. Por zhvillimi i hovshëm i inteligjencës për Hakanin ishte një mundësi tjetër, ajo e integrimit të disa funksionaliteteve të ndryshme dhe të inteligjencës artificiale në një vend.
Rezultati do të ishte një aplikacion me përfitime të mëdha ku ekipe mund të kryejnë pjesën më të madhe të punvë një vend. “Në pjesën e dytë të vitit vazhduan punët më intensive për të zhvilluar Neuronin,” vijoi Hakani.
Hakani studimet e larta i ka kryer pranë Universitetit për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë dhe NTNU në Gjovik të Norvegjisë. Ai është pjesë e kompanisë Gjirafa tek e cila ka kontribuar prej më shumës e 8 vite si inxhinier softueri e më pas edhe si zëvendës president i inxhinierisë. Ai ka pasur një rol kyç në zhvillimin e produkteve të shumta që Gjirafa i ka lançuar në treg dhe udhëhequr ekipe të ndryshme të inxhinierisë.
Gjatë zhvillimit të Neuron kontribut kanë dhënë edhe Ylber Gashi, një inxhinier softueri po nga Prishtina dhe i angazhuar pranë kompanisë Gjirafa si dhe Xhanan Shehu, inxhinier softuer nga Prishtina i cili punon pranë kompanisë Holandeze fintech Buckaroo.
Target grupi kryesor i Neuron janë ekipet e vogla dhe kompanitë e reja që si pjesë e përditshmërisë së tyre kanë bashkërendimin mes anëtarëve të ekipeve. Megjithatë mund të shërbejë edhe si mjet i përshtatshëm për studentët dhe grupet e tjera jo komerciale që mund të bashkëpunojnë mes vete duke pasur qasje në mjete të ndryshme në një vend.
Funksionalitetet kyçe të Neuron janë chati, pjesa ku anëtarët e ekipeve mund të bashkëbisedojnë mes vete apo edhe grupe të ndryshme që i takojnë një ekipi, projekti apo iniciative. Në Neuron përdoruesit gjejnë edhe pjesën e manaxhimit të informacioneve, që mund të jetë e strukturat në format dhe të dhëna të ndryshme (tabelare, kanban dhe kalendarike, dhe mund të përdoret për menaxhim të projekteve, planifikim të punëve në një ekip (metoda scrum), menaxhim të klientëve apo çfarëdo formatit tjetër.
“Ajo çfarë e dallon Neuronin nga aplikacionet e tjera të ngjashme është fleksibiliteti që i mundëson përdoruesve që të organizojnë aplikacionin sipas mënyrës si ata punojnë dhe jo anasjelltas,” tha Hakani.
Neuroni gjithashtu ofron edhe pjesën e menaxhimit të të dhënave në cloud, me qasje të avancuara dhe strukturim sipas nevojave të ndryshme. Të gjitha këto funksionalitete janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën brenda platformës.
“Në thelb secili ekip ka nevojë për tre gjëra kryesore: një formë për të komunikuar direkt me njëri-tjetrin, (chat), një formë për të ruajtur të dhëna të caktuara në mënyrë të strukturuar (menaxhim projekti) dhe një formë për të ruajtur të dhëna të ndryshme dhe shpërndarë ato me të tjerë,” shprehej Hakani.
“Neuroni i ofron të gjitha këto në një vend, me një eksperiencë të thjeshtë dhe fleksible.”
Një prej avantazheve të Neuron është integrimi i inteligjencës artificiale në forma të asistentëve të ndryshëm që mund të përdoren sipas nevojave të përdoruesve. Ka të integruar direkt modele të ndryshme AI që mund të përdoren për pyetje dhe përgjigje sipas nevojave të përditshme si: GPT-3.5, GPT-4, GPT-4o të cilët janë pjesë e aplikacionit të famshëm ChatGPT, por edhe modelet e Meta Llama 2, Llama 3, apo Mistral etj.
Mënyra sesi janë integruar këto modele, i jep Neuronit mundësi të shtojë modele të reja vazhdimisht. Megjithatë këto modele AI kanë kufizimet e veta bazuar në të dhënat me të cilat janë trajnuar, që do të thotë se ato nuk përgjigjen dot për të dhëna që nuk kanë njohuri ose nuk kanë qenë pjesë e trajnimit të tyre.
Neuroni ofron mundësinë që këto modele të ushqehen me njohuri shtesë për tu përgjigjet për të dhëna të cilat nuk kanë qenë pjesë e trajnimit të tyre.
Këto njohuri shtesë mund të jenë nga uebfaqet tuaja specifike apo edhe nga të dhënat e krijuara brenda Neuronit. Kështu asistentët AI brenda Neuronit mund të përgjigjen rreth të dhënave të përdoruesit.
Por çfarë ka rezervuar e ardhmja për Neuronin? Aktualisht platforma është duke u përmirësuar vazhdimisht në bazë të përshtypjeve që merret nga përdoruesit e fazës së mbyllur eksperimentale. “Së shpejti do të bëjmë një lançim publik që të marrim më shumë përdorues. Po ashtu pjesë e planit është edhe marrja e një investimi potencial për tu zgjeruar edhe në tregje të tjera,” tha Hakani. /PCWorld Albanian






