Aktivistët rusë kundër luftës në Mal të Zi organizuan nënshkrimin e mbështetjes për politikanin opozitar Boris Nadezhdin për kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të marsit në Rusi, sepse, sipas tyre, ai është i vetmi kandidat që kundërshton luftën në Ukrainë.
“Kjo është një mënyrë për të treguar qëndrimin tonë kundër luftës duke e mbështetur atë,” tha për Radion Evropa e Lirë Olga Stepanova, e cila u zhvendos në Budva pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.
Deri më tani për Nadezhdin janë mbledhur rreth 1700 nënshkrime. Një nga organizatorët, Ilya Gurevich, beson se mesazhi i dërguar është më i rëndësishëm se numri.
“Të gjithë këta njerëz lanë shtëpitë e tyre dhe erdhën në Mal të Zi për shkak të regjimit rus dhe luftës. Ky është mesazhi i tyre se ata duan ndryshime,” i tha Gurevich Radios Evropa e Lirë, duke shtuar se rusët po mbledhin gjithashtu mbështetje për Nadezhdin në disa vende të tjera evropiane.
Zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen nga 15 deri më 17 mars.
Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi ka njoftuar se Ambasada e Federatës Ruse i ka njoftuar se në mesin e muajit mars do të organizojnë votimin për zgjedhjet presidenciale në atë vend në ambasadën në Podgoricë.
Rreth 27,000 rusë banojnë zyrtarisht në Mal të Zi.
Më parë, më 26 janar, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se rusët jashtë vendit do të mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale në vendet “armiq”.
Që nga marsi i vitit 2022, Mali i Zi ka qenë në atë listë për shkak të vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.


