Dolly Parton, një prej ikonave më të mëdha të muzikës country dhe një prej filantropeve më të njohura amerikane, ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, veçanërisht në fushën e arsimit dhe mbështetjes së fëmijëve.
Një prej nismave më të rëndësishme të jetës së saj ishte “Imagination Library”, programi që Parton themeloi në vitin 1995 me synimin për t’u dhuruar fëmijëve libra falas që nga lindja deri në moshën pesëvjeçare.
Ideja ishte frymëzuar nga babai i saj, Robert Lee Parton, i cili ishte detyruar ta linte shkollën që fëmijë për shkak të varfërisë dhe nuk kishte mundur të mësonte as të lexonte e as të shkruante.
Dolly e konsideronte të atin një prej njerëzve më të zgjuar që kishte njohur dhe e shihte këtë program si një mënyrë për të nderuar kujtimin e tij.
Ajo që nisi si një projekt lokal në Tennessee u shndërrua me kalimin e viteve në një nismë ndërkombëtare, e cila është zgjeruar edhe në Kanada, Britani të Madhe, Irlandë dhe Australi.
Përmes “Imagination Library” janë shpërndarë më shumë se 300 milionë libra për fëmijë.
Për Parton, librat nuk ishin thjesht një mënyrë për t’u mësuar fëmijëve të lexonin. Ajo besonte se leximi u jepte atyre mundësinë të ëndërronin, të imagjinonin dhe të krijonin një të ardhme më të mirë, pavarësisht rrethanave në të cilat ishin rritur.
Studime mbi programin kanë treguar gjithashtu se fëmijët që marrin pjesë në të mund të kenë më shumë mundësi të zhvillojnë zakone leximi së bashku me prindërit.
Edhe pas ndarjes së saj nga jeta, “Imagination Library” pritet të vazhdojë misionin e nisur nga Parton, duke e kthyer dashurinë e saj për librat në një trashëgimi që do të vazhdojë të ndikojë te brezat e rinj.


