Vizita e papritur dhe e paparalajmëruar e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë ka nxitur spekulime të shumta mbi mesazhin e ndjeshëm që Uashingtoni konsideroi se duhej t’i përcillej personalisht zyrtarëve më të lartë rusë.
Për shkak të vizitës disaorëshe të Ratclife, SHBA i ka kërkuar Ukrainës që gjatë ëksaj kohe ushtria e saj të mos ndërmarrë sulme ndaj qyteteve ku pritej të ndodhej potencialisht shefi i CIA-s.
Udhëtimi vjen në një moment mjaft kritik, mes shqetësimeve në rritje të inteligjencës perëndimore se Moska po përgatit mobilizim të mëtejshëm ushtarak dhe provokime apo akte sabotazhi në territorin e vendeve të NATO-s. Ngjarja tërheq një paralele me nëntorin e vitit 2021, kur ish-drejtori i CIA-s, Ëilliam Burns, udhëtoi në Moskë për të paralajmëruar drejtpërdrejt Kremlinin kundër nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Ratcliffe zhvilloi bisedime me krerët e inteligjencës ruse dhe se Presidenti Vladimir Putin u informua mbi rezultatin e diskutimeve, megjithëse një takim direkt mes tyre nuk u zhvillua. Peskov i cilësoi kontaktet si pozitive, por shtoi se është ende herët për të gjykuar mbi përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Përveç luftës në Ukrainë dhe ndihmës ushtarake amerikane, një tjetër pikë e nxehtë e bisedimeve dyshohet të jetë Lindja e Mesme. Uashingtoni ka ngritur shqetësime se Rusia po i ofron Teheranit të dhëna inteligjence mbi asetet ushtarake amerikane, në një kohë kur SHBA-ja ka rritur presionin ndaj Iranit. Vizita e ndjeshme e Ratcliffe shërbeu si një kanal direkt komunikimi në një nga periudhat më të tensionuara gjeopolitike.


