“Aleanca për Shqiptarët(ASH) ka kapacitet të shkojë e vetme në zgjedhje dhe të jetë konkurruese me BDI-në për të fituar”, theksoi deputeti dhe kryetari i Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela, në një intervistë për emisionin “360 gradë” në TVM 1.
“Unë kam qenë ndjekës i kësaj ideje dhe vazhdoj të jem, por ka kohë lidhur me marrjen e një vendimi se si dhe në çfarë forme do të marrim pjesë në zgjedhje”, theksoi Sela.
Në pyetjen nëse megjithatë e lë të hapur mundësinë e një pjesëmarrje të përbashkët me BDI-në, Sela u përgjigj:
“E thashë pak kohë më parë, ka një vendim të Kryesisë Qendrore. Një tjetër autoritet më i lartë brenda Aleancës që mund të marrë një vendim të ndryshëm nga vendimi i Kryesisë Qendrore është vetëm Kuvendi Qendror i partisë, që sipas Statutit duhet të mbahet, por periudhën se kur do të mbahet do ta vlerësojmë ne”.
Për variantin për një front edhe më të gjerë parazgjedhor në të cilin LSDM do të ishte me partnerët e saj, BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët, Ziadin Sela thotë se ai personalisht nuk është ithtar i kësaj ideje.
“Personalisht nuk mendoj se kjo do të sjellë të mira në skenën politike në Maqedoninë e Veriut sepse do të ishte një nxitje për të bërë zgjedhjet bipolare, mund të perceptohen si një garë mes shqiptarëve dhe maqedonasve me kusht, ku VMRO-ja mund ta përdorte këtë element për të nxitur më shumë ndarje të tilla. Ideja për një front të tillë që kam dëgjuar është një ide për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe quhet fronti europian, por unë personalisht nuk jam ndjekës i kësaj ideje”, thotë kryetari i Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët.