Besa nominon, Aleanca nuk heq dorë nga vendi në KSHZ

featured
Press Online
26 Tetor 2023, 15:16

Sipas opozitës së bashkuar shqiptare, ka mundësi që Xhaferi po e shtyn zgjedhjen e anëtarit të ri të KSHZ-së për shkak të lojërave politike mes BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët. Një skenar i mundshëm është që Aleanca të largohet nga Qeveria para formimit të qeverisë teknike, duke u bërë sërish opozitë dhe të mbajë vendin në KSHZ, shkruan PRESSonline.al

Tetë muaj pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mbeti pa një anëtar, për shkak se Aleanca për Shqiptarët hyri në Qeveri dhe anëtari i saj Krenar Loga u bë ministër i Drejtësisë, procedura për plotësimin e pozitës vakante në organin më të lartë zgjedhor do të fillojë në Parlament më 2 nëntor.

Nga opozita e bashkuar shqiptare – Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike – ia tërheqin vëmendjen kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit, se po e zvarrit procesin, pasi dy muaj më parë kanë dorëzuar kërkesë për shpallje për zgjedhjen e anëtarit të ri të KSHZ-së. Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski disa herë ka thënë se KSHZ-ja duhet të kompletohet, në të kundërtën zgjedhjet mund të dështojnë, gjegjësisht të kontestohen vendimet e Komisionit.

Në kërkesën për Propozim-vendimit për shpalljen e zgjedhjeve për anëtar të KSHZ-së dorëzuar Xhaferit, deputetët e Besës dhe Alternativës, Fadil Zendeli dhe Safije Sadiki Shaini, shkruhet se pas zgjedhjes së Llogës më 27 shkurt si ministër i Drejtësisë, Kuvendi konstatoi njëkohësisht ndërprerjen e postit të tij të anëtarit të KSHZ-së.

“Me këtë përzgjedhje padyshim që erdhi deri te një ndryshim i partive politike në opozitë dhe në pushtet dhe zbrazje të pozitës në të cilin u zgjodh Lloga si kandidat nga opozita. Për shkak të ndryshimit të partive në qeveri dhe në opozitë, Kuvendi është i detyruar të veprojë sipas Kodit Zgjedhor. Është kompetencë e Kuvendit që të harmonizojë përbërjen e KSHZ-së. Për shkak të zbatimit konsekuent të Kodit Zgjedhor, po dorëzojmë propozim-vendim për shpalljen e zgjedhjes së anëtarit të KSHZ-së”, thuhet në kërkesë, përcjell PRESSonline.al

Sipas opozitës së bashkuar shqiptare, ka mundësi që Xhaferi po e shtyn zgjedhjen e anëtarit të ri të KSHZ-së për shkak të lojërave politike mes BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët. Opozitarët i tremben një skenari të mundshëm ku Aleanca të largohet nga Qeveria para formimit të qeverisë teknike, duke u bërë sërish opozitë dhe të ruajë vendin e saj në KSHZ. Kështu, sipas opozitarëve shqiptarë, BDI si parti në pushtet, përmes partisë së Arben Taravarit do të kontrollojë edhe një anëtar në KSHZ.

Frika se qeveria mund ta luajë në atë kartë është sepse Besa dhe Alternativa kanë dy muaj që kërkojnë nga Kuvendi që të shpallë zgjedhjen e anëtarit të ri të KSHZ-së. Në vërejtjen e partive opozitare, Xhaferi në seancën e fundit parlamentare u ka theksuar se e dinë procedurën dhe se është e nevojshme të paraqesin kërkesë me shkrim.

Jozyrtarisht, nga Aleanca për Shqiptarët thonë se sipas zgjedhjeve të fundit, vendi në KSHZ u takon atyre, njësoj si kur në zgjedhjet e fundit parlamentare Besa kishte një anëtar në Komision, edhe pse në zgjedhje u paraqit në listat e përbashkëta me LSDM. Nga partia e Taravarit thonë se Aleanca do të propozojë kandidatin e saj në konkursin që do ta shpallë Kuvendi për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së.

KSHZ ka shtatë anëtarë, nga të cilët kryetari dhe anëtari mbështeten nga opozita VMRO-DPMNE, tre anëtarë janë nga LSDM në pushtet dhe nga një anëtar nga BDI në pushtet dhe partia opozitare shqiptare që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Edhe Mickoski, në kërkesat e vazhdueshme për zgjedhje të dyfishta, paralajmëron se para cikleve zgjedhore KSHZ-ja duhet të kompletohet.

Ai theksoi se është e rëndësishme që grupi punues për datën e zgjedhjeve të fillojë punën sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse kanë mbetur vetëm disa muaj deri në zgjedhje, ndërsa KSHZ-ja nuk punon sipas ligjit. Ai beson se me vonesën, qeveria nuk e lejon KSHZ-në të funksionojë ligjërisht.

– Kemi një problem për momentin. Sepse ne kemi një Komision Shtetëror Zgjedhor që nuk funksionon sipas ligjit. Pse nuk funksionon, sepse nuk janë shtatë anëtarë, por gjashtë. Me ligj kemi një strukturë të përcaktuar qartë të KSHZ-së, katër nga qeveria, tre nga opozita. Kemi dy nga opozita. Çfarë bën qeveria? E pengon nominimin e një anëtari të opozitës – thotë Mickoski, përcjell PRESSonline.al

Sipas tij, Maqedonia do të gjendet në krizë kushtetuese për shkak të mosbalancimit në KSHZ.

– Kjo pabarazi ngre shqetësime për integritetin dhe drejtësinë e procesit zgjedhor. Nëse nuk emërohet me kohë një përfaqësues nga opozita, ekziston mundësia që i gjithë procesi zgjedhor të përballet me sfida që në fillim, të cilat mund të sjellin konteste juridike nëpër institucione – paralajmëroi Mickoski.

Nëse më 2 nëntor në seancë plenare kalon nevoja për shpalljen e zgjedhjeve për anëtar të KSHZ-së, Kuvendi shpall shpalljen, e cila zgjat tetë ditë. Pastaj Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime propozon kandidatin për anëtar të KSHZ-së. Kandidati në këtë rast duhet të jetë nga Besa ose Alternativa, ndërsa opozita e bashkuar tashmë ka bërë të ditur se për përfaqësues të tyre në Komision do të propozojë Abdush Demirin, sekretar i përgjithshëm i Besës. Për zgjedhjen e anëtarit të ri të KSHZ-së nevojitet shumicë prej dy të tretash.(PRESSonline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter