Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vazhduar numërimin e votave të ardhura përmes postës nga diaspora, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë një epërsi të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), deri në orën 23:21 të 16 qershorit janë procesuar 202 nga 223 vendvotime, ose 90.58 për qind e totalit të kutive të votimit me postë.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja VETËVENDOSJE ka siguruar 53,916 vota, që përbëjnë 72.95 për qind të votave të numëruara deri më tani.
Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 9,062 vota ose 12.26 për qind.
Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës me 5,794 vota, që përfaqësojnë 7.84 për qind të votave të numëruara.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 3,143 vota ose 4.25 për qind.
KQZ-ja ka bërë të ditur se numërimi i të gjitha votave nga diaspora pritet të përfundojë gjatë së mërkurës.







