Nga pjalmimi te plehërimi, tri këshilla për kujdesin e bimës së domates

featured

Kujdesi ndaj bimës është art më vete. Më poshtë do t’iu njohim me tri këshilla për kujdesin e bimës së domates.

Së pari, pjalmimi.

Domatet e mbjella në serra në Janarin e ftohtë nuk arrijnë dot të pjalmohen me bletë. Ndaj fermerët bëjnë një pjalmim me acid acetik për të çarë qeset pjalmuese, gje që zakonisht e bën bleta në mënyrë naturale. Pra fermeri zëvendëson bletën, duke shkuar lule më lule.

Kjo metodë nuk përbën rrezik, por gjithsesi është jo natyrale pohojnë specialistët për AgroWeb.org. Për këtë shkak gjithmonë e më shumë, së fundmi edhe në Shqipëri, po përdoret pjalmimi me bletë pjalmuese.

Bleta pjalmuese në krahasim me bletën e mjaltit, është më aktive në mjedise të mbrojtura. Po ashtu edhe në ditë me erë dhe me re, si dhe kryen një pjalmim më të mirë të luleve, pasi është më e madhe.

Së dyti, spërkatja.

Spërkatja e domateve, si e çdo bime, është e domososhme për të ruajtur bimën nga sëmundjet. Mirëpo, çdo gjë me masë dhe në kohën e duhur.

Në asnjë mënyrë nuk mund të spërkasësh bimët pak ditë përpara vjeljes. Kjo, pasi mbetjet e pesticideve duan kohën e tyre të zhduken nga bima. Jo të gjithë fermerët e zbatojnë këtë, ca nga panjohuria e ca nga etja për t’i vjelë shpejt e për t’i nxjerrë produktet në treg, përpara të tjerëve.

Në botë aplikohet edhe ashtuquajtura ‘lufta biologjike’ pra në vend të spërkatjes, në serra futen insekte që hanë insektet që dëmtojnë bimët. Në Shqipëri, kjo metodologji nuk njihet shumë.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, plehërimi.

Plehërimi i mirë është thelbësor. Plehu duhet të jetë sa më organik dhe jo me përmbajte azotike si ure etj, sepse le mbetje në produkt.


Top Channel

Nga pjalmimi te plehërimi, tri këshilla për kujdesin e bimës së domates
|