Bislimi nga PE: Nga viti i ardhshëm s’do të ketë mijëra raste të humbura e turpërime për qytetarët e Kosovës

featured

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se është i lumtur që nga viti i ardhshëm më nuk do të ketë mundësi të humbura për qytetarët e Kosovës shkaku i vizave, e po ashtu poshtërime duke u refuzuar vizat atyre.

Ai përmendi rastin e drejtorit të DokuFestit, Eroll Bilibani, që shkaku i vizës nuk arriti të merrte pjesë në Berlinale.

“Ishte një proces i gjatë e i vështirë, me shumë pengesa dhe shumë rrugë. Mori 11 vjet për t’u përmbyllur. Për shumë vite kishte ngecur në Këshill dhe dukej e pamundur të tejkalohej. E bëmë argumentin tonë, jo vetëm duke përmbushur kriteret, por Kosova u dëshmua se është e përkushtuar në sundim të ligjit, e luftim të krimit e korrupsionit. Këto arritje s’mund të injorohen. Punuam ngushtë me të gjitha shtetet anëtare. Dua të falënderojë z. Thijs, e po ashtu zonjën Fajon e znj. Viola Von Cramon e z. Lukas Mandl, që ishin zëra mbështetës në Parlament. Falënderime për presidencën çeke dhe suedeze që e shtyn para këtë punë”, tha Bislimi.

Ai ka thënë se liberalizimi i vizave përforcon lidhjet e Kosovës me BE-në.

“Ka qenë shumë turpëruese kur qytetarëve u refuzoheshin aplikimet për viza. Vitin e ardhshëm më qytetarët e Kosovës nuk do t’u nënshtrohen këtij procesi, vitin vijues nuk do të kemi raste si ai i Eroll Bilibanit, drejtorit të DokuFestit, njërit prej festivaleve më të rëndësishme të filmit dokumentar në Kosovë, i cili mori ftesë për të marrë pjesë në Berlinale, por anuloi udhëtimin shkaku i refuzimit të vizës. Nuk do të kemi raste si rasti i pingpongistëve që nuk morën pjesë në Evropian shkaku i vizës. Nuk do të kemi rast si ai i Jeton Nezirajt, që mori çmim të rëndësishëm evropian, por u desh ta anulonte udhëtimin shkaku i vizës. Tha se regjimi i vizave është bërë pengesë që synon të na turpërojë. Më nga 1 janari nuk do të kemi mijëra mundësi të humbura për qytetarët që të marrin pjesë në konferenca, gara sportive, shkolla verore apo ngjarje tjera. Do të përçojë sinjal të fuqishëm për qytetarët e Kosovës se jemi pjesë e Evropës”, tha Bislimi.

Bislimi nga PE: Nga viti i ardhshëm s’do të ketë mijëra raste të humbura e turpërime për qytetarët e Kosovës
|