Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka apeluar qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të temperaturave të larta që priten gjatë fundjavës.
Sipas njoftimit të institutit, bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vendi do të përfshihet nga një valë e të nxehtit me intensitet mesatar.
IKShPK thekson se temperaturat e larta mund të kenë ndikim negativ në shëndetin e njerëzve, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të popullsisë, si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit.
Instituti u bën thirrje qytetarëve të marrin masat e nevojshme mbrojtëse, duke shmangur ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, duke e mbajtur ambientin e banimit sa më të freskët, duke konsumuar mjaftueshëm ujë dhe duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për foshnjat, fëmijët dhe personat e rrezikuar nga temperaturat e larta.
IKShPK rikujton se zbatimi i këtyre masave ndihmon në parandalimin e problemeve shëndetësore që mund të shkaktohen nga vala e të nxehtit.







