1. Lajme
  2. RAJONI
  3. “Veriu peng i Beogradit”/ Profesori amerikan: Marrëveshja e Ohrit ende larg

“Veriu peng i Beogradit”/ Profesori amerikan: Marrëveshja e Ohrit ende larg

featured

Deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç se nuk do ta zbatojë të plotë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj që u arrit në Ohër, profesori amerikan Edward Joseph i konsideron të papranueshme.

Eksperti i politikës së jashtme thotë se dy vendet nuk janë afër një dakortësimi final mes tyre pavarësisht përpjekjeve. E kjo sipas tij për disa arsye:

“A jemi afër marrëveshjes finale? Jo, për fat të keq, nuk është ashtu, dhe unë e kam lexuar këtë. Problemet janë të ndërlikuara, por origjina aktuale është shumë e drejtpërdrejtë, sipas mendimit tim. […] Problemi i vërtetë këtu është fakti që Kosova nuk njihet nga BE-ja dhe nga të gjithë anëtarët e BE-së, dhe të gjithë anëtarët e NATO-s, po të ishte e njohur, atëherë gjithçka do të ishte ndryshe, do të kishim një shteg tjetër këtu, dhe do të kishte një marrëdhënie shumë më të qetë me Serbinë dhe do të kishte njohje, por ky nuk është realiteti, pra, ne duhet të merremi me realitetin, ashtu siç është“, deklaroi Edward Joseph – Ekspert i Politikës së Jashtme.

Sipas profesorit Edward Joseph, serbët e veriut janë pengje të Beogradit. E për ai I këshillon liderat politik të Kosovës që të tregohen të matur në rast se do të regjistrohen incidente gjatë mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicën e veriut.

“Çfarë do ta dëmtonte Kosovën, një lloj loje që dëshiron Serbia, të ketë një lloj konfrontimi, mendoni për atë se çfarë do të përfitonte më shumë Aleksandër Vuçiç. Ai do të përfitonte më së shumti nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente, por ne kemi KFOR-in, duhet të shikojmë nga KFOR-i për trajtimin e kësaj çështjeje, shpresojmë se ata do të merren me këtë, kjo është një mënyrë. Mënyra tjetër është se ai do të mund të përfitonte nëse mbahen zgjedhjet dhe pothuajse asnjë serb nuk voton. Pra, ai do të përfitonte, Beogradi do të përfitonte nga kjo. Ata do të thoshin shikoni, kjo është një farsë, ata nuk po e dëgjojnë popullin, populli nuk doli dhe nuk votoi”.

Ndërkohë nga ana tjetër kryeministri Albin Kurti, në një postim në Twitter kërkoi zbatimin e e menjëhershëm dhe të plotë të marrëveshjes së arritur në Ohër.

Në 18 mars të këtij vitit Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e aneksit të marrëveshjes që u arrit në Bruksel. Ndërsa nuk pati nënshkrim të saj.


Top Channel

“Veriu peng i Beogradit”/ Profesori amerikan: Marrëveshja e Ohrit ende larg
|