1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Koncept i ri për klasën VI, shkencat natyrore zëvendësojnë më shumë lëndë

Koncept i ri për klasën VI, shkencat natyrore zëvendësojnë më shumë lëndë

featured

Fëmijët të cilët në vitin e ardhshëm shkollor 2023/24 do të jenë nxënës të klasës së gjashtë do të realizojnë për herë të parë procesin mësimor sipas konceptit të ri.

Historia nuk do të mësohet ndërkohë Gjeografia do të integrohet në Shkencat Natyrore bashkë me lëndët Kimi, Fizikë dhe Biologji.

Koncepti i ri parashikon që edhe lëndët Arsim Teknik dhe Informatikë të jenë të integruara ndërkohë që Etika e religjioneve është tërhequr krejtësisht si lëndë.

Por programet mësimore në bazë të konceptit të ri u kritikuan nga Iniciativa Qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, me arsyetimin se Institucionet me vetëdije po shkatërrojnë nxënësit dhe arsimin në përgjithësi.

“Nuk është aspak mirë për shkak se pa gjeografi dhe histori ku më tutje. Të mos flasim më shumë, çfarë do të bëhet me mësimdhënësit kur njëri duhet ta ligjëroj këtë lëndë ndërsa tjetri të pres në radhë, çfarë do të bëhet me ata mësimdhënës. Vërejtja tjetër, në programet mësimore nuk ka lëndë zgjedhore. Etika e religjioneve që tashmë ishte lëndë zgjedhore nuk është më. Kësaj radhe patjetër t’i japim fund këtij koncepti, patjetër t’i japim fund shkatërrimit me vetëdije të nxënësve dhe arsimit”, tha Dragana Spasevska, “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Sipas Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, lëndët e integruara në Shkencat Natyrore kanë 3 orë në javë ose gjithsej 108 orë në një vit shkollor. Arsim teknik dhe Informatikë kanë 2 orë në javë ose 72 orë gjithsej. Për realizimin e këtyre lëndëve koncepti i ri parashikon furnizimin e shkollave me materiale të ndryshme dhe të shumta si kompjuter, tabelë të mençur, mikrobit si dhe materiale për eksperimente laboratorike. Por shumë shkolla në vend përveçse se nuk janë të furnizuara me këto mjete, të njëjtat madje akoma kanë mungesë të infrastrukturës së duhur./Alsat.mk

Koncept i ri për klasën VI, shkencat natyrore zëvendësojnë më shumë lëndë
|