Besimi në takim me McCauley nga Thesari i SHBA-së

featured

13 prill 2023, Washington – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga partnerët strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vendi ynë ka përkrahje të vazhdueshme nga SHBA-ja në arritjen e pikësynimeve të tij prioritare të zhvillimit demokratik dhe ekonomik dhe integrimeve euroatlantike dhe përkrahja e deritanishme e partneritetit 30-vjeçar vlerësohet në 840 milionë dollarë. Ekziston gatishmëri për ta përforcuar këtë partneritet përmes nismave dhe projekteve të reja, që është ngritur në nivel të ri më të lartë që nga viti i kaluar me zhvillimin e Dialogut strategjik me SHBA-në.

Sot, në Thesarin e SHBA-së, mundësitë për bashkëpunim në fushën e financave publike, ishin temë e takimeve të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, me Brian McCauley, zëvendësndihmës sekretar për Evropë dhe Euroazi në Thesarin e SHBA-së.

“Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar ka punuar në zbatimin e reformës së rëndësishme në menaxhimin e financave publike. Miratuam Ligjin e ri të Buxheteve, që nënkupton zëvendësimin e mënyrës së vjetër tradicionale të buxhetimit dhe vendosjen e mënyrës së re moderne të buxhetimit, që bazohet në rregullat saktësisht të përcaktuara dhe të definuara në procesin e planifikimit dhe realizimit. Këto janë risitë që do të duhet të zbatohen në periudhën e ardhshme dhe për këtë është e mirëseardhur përkrahja e ofruar nga institucionet që kanë njohuri dhe përvojë. Thesari i SHBA-së ofron përkrahje të konsiderueshme teknike sa i përket përforcimit të menaxhimit të financave publike, efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies lidhur me financat publike, si dhe luftimit kundër ekonomisë gri, që i referohet zhvillimit të tregut financiar, mbrojtjes së konsumatorëve etj. Përkrahja e tillë do t’i përforcojë kapacitetet e institucioneve tona, para së cilave është zbatimi i reformave, që kanë për qëllim prosperitetin ekonomik”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ministri Besimi shtoi se këto reforma po zbatohen në të njëjtën kohë duke implementuar platformat e reja bashkëkohore dixhitale, siç është IFMIS – Sistemi i Integruar Informativ i Menaxhimit të Financave (SIIMF), që paraqet parakusht për vendosjen e mënyrës bashkëkohore dhe moderne të menaxhimit të financave publike, duke synuar përmirësimin e efikastetit dhe transparencës.

Besimi në këtë takim theksoi se Ministria e Financave është e përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe se vijon me përcaktimin për menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike, konsolidimin fiskal, nivelin e qëndrueshëm të borxhit publik dhe investimin e parave në buxhet, ku ato do të jenë më efektive. E gjithë kjo, orientohet drejt sigurimit të normave më të larta të rritjes ekonomike.

“Në këtë drejtim u përgatit dhe miratua Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike, si bazë për rritjen e normave të rritjes ekonomike. Qëllimi i këtij plani është të rriten  investimet e përgjithshme në ekonomi, ndërsa, njëkohësisht, të vijohet me kursin e përcaktuar për uljen e deficitit buxhetor dhe të mbetet borxhi në nivel stabil. Prandaj, inverstitorëve në mënyra të ndryshme u ofrohet sigurimi i mjeteve financiare për projektet”, tha Besimi.

Në takim u diskutua edhe mbi përkrahjen e zhvillimit të tregut financiar të letrave shtetërore me vlerë dhe rekomandimet lidhur me instrumentet e reja të cilat planifikohen të vendosen në tregun primar të letrave shtetërore me vlerë, si dhe përkrahjen e përforcimit të kapaciteteve të Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe Drejtorisë Doganore.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, takimet në thesarin e SHBA-së, i realizoi në kuadër të vizitës së tij në SHBA, ku paraprakisht realizoi takime në OKB. Ministri, prej sot, së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angelovska Bezhoska, do të marrin pjesë në Takimet pranverore të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Besimi në takim me McCauley nga Thesari i SHBA-së
|