Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot mbajti fjalim me rastin e hapjes së Qendrës këshilluese për viktimat e dhunës në familje, organizuar nga Sindikata – Këshilli Nacional për Barazi Gjinore (KNBGJ), në të cilin ministri Oliver Spasovski dhe kryetarja e KNBGJ-së, Safka Todorovska, nënshkruan Memorandum për bashkëpunim ndërmjet MPB-së dhe KNBGJ-së, informon PRESSonline.mk.
“Ngjarja e sotme është një shembull vërtet pozitiv i krijimit të mekanizmave për veprim parandalues, por edhe për sanimin në kohë të pasojave për viktimat e dhunës në familje apo me bazë gjinore. Nëse kësaj i shtohet edhe puna e përbashkët, partneriteti – në këtë rast i shprehur përmes Memorandumit të Bashkëpunimit, atëherë mund ta shohim këtë si një hap tjetër nga hapat e shumtë në drejtim të eliminimit të të gjitha rrethanave sociale, pavarësisht nëse ato janë në sferën e standardeve ekonomike, arsimore, sociale, juridike apo të tjera, të cilat në një mënyrë apo tjetër mund të jenë gjenerator i shkatërrimit të familjes apo i pabarazisë gjinore, i dhunës dhe krimit të motivuar gjinor”, theksoi ministri Spasovski, duke konfirmuar edhe një herë gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme që të jetë pjesëmarrëse aktive institucionale, në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore, në të gjitha aktivitetet e tilla dhe të ngjashme, qëllimi i të cilave është parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna në familje dhe natyrisht nga dhuna dhe pabarazia gjinore.
Qëllimi është krijimi i një kornize për bashkëpunim dhe zbatim të aktiviteteve të mëtejshme të përbashkëta për promovimin dhe avancimin në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së grave – viktima të dhunës në familje dhe të dhunës me bazë gjinore, ekstremizmit të dhunshëm dhe risocializimit të grave dhe fëmijëve, përmes projekteve dhe nismave të përbashkëta.
Gjatë manifestimit, ministri Spasovski vizitoi hapësirën ku është vendosur Qendra Këshillimore, ku tashmë funksionon linja SOS celulare falas./ PRESSonline.al