Bullgaria nën kthetrat e dezinformatave ruse!

featured

Bullgaria po përballet sërish me një të ardhme të pasigurt politike. Menjëherë pas zgjedhjeve janë kërcënuar me bombë shkollat në disa qytete të mëdha. Ekspertët kibernetikë supozojnë se grupet e hakerëve ekstremistë, ndoshta nga Rusia, fshihen pas tyre për të përhapur panik dhe frikë. Në shkolla nuk u gjet asnjë eksploziv. Ndikimi i Rusisë në Bullgari, tek politikanët dhe mediat, shqetëson shumë njerëz. Gjithashtu edhe politikanët e njohur bullgarë marrin përsipër dhe përhapin propagandën ruse për BE-në, NATO-n dhe pushtimin e Ukrainës, shkruan PRESSonline.al

“Një nga arsyet e ndikimit të madh të Facebook-ut është mungesa e mediave dhe gazetave cilësore në Bullgari”. Kështu konstaton në një prononcim për Dojçe Vele në gjuhën maqedonase studiuesi Ruslan Stefanov nga Qendra për Studime Demokratike në Sofje, i cili theksoi se mungesa e lidershipit të mirë politik e përkeqëson edhe më shumë besimin në demokraci.

“Besimi i pamjaftueshëm çon në përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave, si dhe në preferencën për ideologjitë autoritare”, shton ai.

Sipas tij, kjo komplikohet nga një situatë mediatike e karakterizuar nga varësia nga politika dhe oligarkët.

“Brezi i vjetër i gazetarëve në Bullgari është mësuar të përdorë burime ruse dhe i beson. Një sondazh zbuloi se më shumë se një e katërta e të gjitha lajmeve të transmetuara nga agjencia shtetërore bullgare e lajmeve BTA janë pro-ruse dhe bazohen në informacionin e agjencisë ruse të lajmeve TASS. Agjencia bullgare e lajmeve është një kalë trojan për dezinformatat ruse në BE. Një rol të madh në këtë kontekst luan ambasada ruse në Sofje, postimet e së cilës kanë një shtrirje të madhe, ndoshta me ndihmën e profileve të automatizuara ose joautentike në mediat sociale, për të diktuar tema në vend”, thekson Stefanov, përcjell PRESSonline.al

Gazetarja Irina Nedeva në një bisedë për agjencinë gjerman ARD ka deklaruar se një nga shtytësit kryesorë të këtyre llojeve të dezinformatave është partia nacionaliste dhe pro-ruse Prerodba.
“Objektivi i saj në luftën kundër BE-së dhe vlerave liberale është kryesisht euro e futur në Bullgari dhe ideologjia transgjinore”, shpjegon gazetarja Irina Nedeva në një bisedë për ARD.

Refugjatët ukrainas janë gjithashtu objekt dhe objektiv i dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Projekte të veçanta të kontrollit të fakteve, me mbështetje të pjesshme nga BE-ja dhe fondacionet ndërkombëtare, po përpiqen të frenojnë vërshimin e dezinformatave.(PRESSonline.al)

Bullgaria nën kthetrat e dezinformatave ruse!
|