Rubin: Nuk do të donim të shihnim media shtetërore ruse kudo në botë

featured

I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i cenueshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze, por “një pjesë e madhe” e tyre vjen nga Serbia dhe ky është një “problem i madh që duhet të adresohet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit, përcjell PRESSonline.al

Qendra është një organ i Departamentit amerikan të Shtetit, e krijuar për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit. I pyetur se si e komenton hapjen e Russia Today – organizatë ndërkombëtare e lajmeve e kontrolluar nga shteti rus – në Serbi, Rubin thotë:

“Ne nuk do të donim të shihnim Russia Today ose media [të tjera] ruse kudo në botë. Duam që ato të mbyllen”. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë gjatë një qëndrimi të shkurtër në Prishtinë, Rubin flet edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, themelues të së cilës po përballen aktualisht me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rubin thotë se qëndrimi i SHBA-së për UÇK-në ka evoluar ndër vite. Në ditët e para, kujton ai, SHBA-ja i ka dënuar “aktivitetet terroriste të kryera nga grupet shqiptare”, por me evoluimin e procesit të paqes, thotë se UÇK-ja është bërë qendër e atij procesi.

“UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar”, thotë Rubin.

“Unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës, është diçka që unë do ta mbështesja”. “Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”, shtoi ai.

Gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990, Rubin ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit amerikan. Kosova i ka ndarë në vitin 2013 Medaljen Presidenciale të Meritave për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës.

Rubin: Nuk do të donim të shihnim media shtetërore ruse kudo në botë
|