CIVIL – Qendra për Liri, si organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, me kujdes dhe me shqetësim të skajshëm ndjek rastin “Onkologjia” të hapur nga gazetarët investigativë në “Focus” dhe “Sloboden Pecat”. Në këtë rast ka indikacione të forta për krim dhe korrupsion, i cili rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e pacientëve, të cilat janë të drejta themelore të njeriut”, thuhet në njoftimin e Civilit.
Bazuar në dëshmitë dhe faktet e zbuluara, CIVIL dënon ashpër aktivitetet kriminale të drejtuara kundër shëndetit dhe jetës së njerëzve.
“Pas zbardhjes, çështja “Onkologjia” shkaktoi reagime dhe dënime të stuhishme, si nga opinioni publik ashtu edhe nga ana e majës politike të shtetit. Në të njëjtën kohë, institucionet kompetente publikisht premtuan se do të kryejnë hetim të plotë të rastit dhe do t'i nxjerrin kriminelët para drejtësisë.
Duke pasur parasysh indikacionet se ky krim ka vazhduar prej kohësh, CIVIL beson se reagimi është i vonuar, por gjithsesi do të jetë i mirëseardhur një hetim transparent dhe i plotë dhe shqiptimi i sanksioneve më të rrepta ligjore ndaj autorëve.
CIVIL thekson se në aktivitete kriminale të këtij lloji dhe përmasash nuk mund të përfshihen vetëm punonjësit e klinikës. Autorët dhe lehtësuesit e krimit duhet të kërkohen në strukturat drejtuese dhe në sektorë të tjerë që mundësonin, asistonin ose kryenin veprimtaritë kriminale.
Meritojnë të dënohen edhe partitë politike, grupet dhe individët që panë në këtë rast një mundësi për përfitim politik duke përhapur gjuhë urrejtjeje, dezinformata dhe mesazhe nacionaliste e antiperëndimore. Ato procedura janë shpërdorim i plotë i revoltës së justifikuar të qytetarëve, për qëllime që nuk kanë të bëjnë me kujdesin për të drejtat, shëndetin dhe jetën e njerëzve.
“CIVIL ndjek me neveri veprimet e përfituesve politikë dhe u bën thirrje qytetarëve që me vendosshmëri të dënojnë dhe të refuzojnë përpjekjen e pandershme për të keqpërdorur fatkeqësinë e njerëzve për qëllime politike”, thekson Civil.






