Përveç trajtimit mjekësor dhe aktivitetit fizik, një nga faktorët më të rëndësishëm për kontrollin e diabetit mbetet ushqyerja e balancuar dhe e kontrolluar në sasi.
Diabeti është një sëmundje kronike që shfaqet kur organizmi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk e përdor atë siç duhet. Ky hormon, i prodhuar nga pankreasi, luan rol kyç në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak.
Një regjim i përshtatshëm ushqimor synon të mbajë nën kontroll glukozën, yndyrat në gjak dhe tensionin arterial, duke ndihmuar gjithashtu në ruajtjen e një gjendjeje të mirë ushqyese.
Ekspertët theksojnë se rëndësi nuk ka vetëm çfarë hamë, por edhe sasia, koha e konsumimit dhe mënyra e përgatitjes së ushqimit.
Një nga pyetjet më të zakonshme gjatë sezonit të verës lidhet me konsumimin e qershive. Dietologët sqarojnë se qershitë mund të përfshihen në dietën e personave me diabet, por me kujdes dhe në sasi të kufizuara.
Ky frut përmban shumë ujë, vitamina dhe minerale, por gjithashtu ka edhe karbohidrate. Në 100 gramë qershi gjenden rreth 15 gramë karbohidrate, ndaj sasia e lejuar duhet të përcaktohet individualisht sipas gjendjes së secilit pacient.
Si rekomandim i përgjithshëm, një grusht qershish mund të konsumohet si zamër gjatë ditës.
E njëjta vlen edhe për vishnjat. Edhe pse kanë shije më të thartë, ato përmbajnë karbohidrate dhe mund të ndikojnë në nivelin e sheqerit në gjak. Për këtë arsye, nuk rekomandohet konsumimi i tyre pa kufizim.
Specialistët kujtojnë se çdo frut ndikon në glukozën në gjak, pasi përmban sheqerna natyrale. Disa fruta e rrisin më shpejt nivelin e sheqerit për shkak të indeksit më të lartë glikemik, ndërsa të tjera kanë ndikim më të moderuar.
Një këshillë e rëndësishme është që frutat të konsumohen të plota dhe jo të shtrydhura në formë lëngu. Kur fruti bluhet ose shtrydhet, rritet indeksi glikemik dhe organizmi e përthith më shpejt sheqerin.
Ekspertët theksojnë se nuk ekziston një frut që diabetikët duhet ta shmangin plotësisht. Ajo që ka rëndësi është kontrolli i sasisë dhe momenti i konsumimit.
Megjithatë, frutat e thata kërkojnë më shumë kujdes, pasi përmbajnë përqendrim më të lartë të sheqernave për shkak të humbjes së ujit.
Koha ideale për të ngrënë fruta varet edhe nga terapia që ndjek pacienti. Tek personat që përdorin tableta për diabetin, frutat zakonisht rekomandohen brenda 30 deri në 60 minutave pas vaktit kryesor. Ndërsa tek ata që trajtohen me insulinë, rekomandimet ndryshojnë sipas llojit të insulinës dhe skemës së trajtimit.
Për personat pa diabet apo rezistencë ndaj insulinës, frutat preferohen ndërmjet vakteve kryesore. Ndërsa për diabetikët, prioritet mbetet konsumimi i tyre në sasi të kontrolluara dhe sipas udhëzimeve të mjekut ose nutricionistit.






