Edhe në vendin ku bëhen mbi 10 milionë dasma në vit, ky është sigurisht një rekord.
Dasma ekstravagante e vajzës së një politikani nga shteti lindor indian i Biharit kishte më shumë se 400 000 të ftuar këtë javë, sipas raportimeve të medieve lokale.
I përballur me disa hetime ligjore, përfshirë vrasje, Anant Singh ka një ndikim të konsiderueshëm mbi asamblenë parlamentare të këtij shteti, më të varfërit të Indisë, të cilin e ka përfaqësuar që nga viti 2005.
Për dasmën e vajzës së tij ai bëri gjithçka, duke ftuar fshatra të tëra, aleatët e tij të shumtë politikë dhe figura të shquara nga të gjitha sferat e jetës.
500 kuzhinierët e mobilizuar për këtë rast u ofruan të ftuarve një festë vegjetariane që përfshinte, ndër të tjera, 500 000 ëmbëlsira, tha për AFP një bashkëpunëtore e ngushtë e mikpritësit, Munna Singh.
Pjesëmarrja i tejkaloi të gjitha pritjet, duke shkaktuar bllokime trafiku rekord rreth qytetit të tij të lindjes, Nadawan.
”I bllokuar në trafik, një politikan i shquar vendas u detyrua të braktiste makinën e tij dhe të udhëtonte përmes fushave drejt vendit të dasmës me një traktor”, raportoi ”Times of India”.
Pesë vende uljeje helikopterësh ishin ngritur për këtë rast.
”Press Trust of India” transmetoi imazhe të turmave të spektatorëve të ulur në pemë dhe në linjat e energjisë, duke shpresuar të shihnin një pamje të festimeve.
Organizatorët e dasmës u detyruan madje të anulonin një garë me 200 kuaj, të mbingarkuar nga qindra mijëra njerëz që ishin dyndur në këtë ngjarje.
Më shumë se 10 milionë dasma festohen çdo vit në Indi, një industri e vërtetë që gjeneron midis 40 dhe 50 miliardë dollarë të ardhura, sipas vlerësimeve të KPMG.



