Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, u shpreh i tronditur nga ndërhyrja e pretenduar e presidentit amerikan Donald Trump në favor të rikthimit të Jensen Huang në krye të kompanisë “Nvidia”.
Ai theksoi se pushteti politik nuk duhet të ndërhyjë në vendimmarrjen e kompanive private.
”Për të qenë i sinqertë, kjo më tronditi”, deklaroi Wadephul gjatë një aktiviteti në Berlin.
Ai tha se nuk kishte parë kurrë më parë një ndërhyrje të tillë politike në punët e një kompanie të caktuar.
Megjithatë, ministri gjerman nënvizoi se ngjarja kishte ndodhur në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
“Në vendet e lira, demokratike dhe të bazuara në shtetin e së drejtës, pushteti politik duhet të shmangë ndërhyrjen në veprimtarinë ekonomike të kompanive”, deklaroi ai, duke mbrojtur respektimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Jensen Huang kishte dhënë dorëheqjen më 12 nëntor, pasi ishte përfshirë në një çështje që lidhej me një biznesmene kineze, e dyshuar për spiunazh dhe anashkalim të kufizimeve amerikane për eksportin e çipave “Nvidia” drejt Kinës.
Megjithatë, bordi drejtues i kompanisë vendosi dje ta rikthente Huang në krye të gjigantit të prodhimit të çipave.
Vendimi u përshëndet nga Donald Trump, i cili deklaroi se kishte komunikuar drejtpërdrejt me bordin drejtues për të mbështetur rikthimin e Huang. Më pas, presidenti amerikan e cilësoi vendimin si ”të mirë dhe të drejtë” në platformën e tij Truth Social.
Rikthimi i papritur shkaktoi një stuhi politike në SHBA. Ndërhyrja e presidentit Trump u kritikua gjerësisht nga demokratët, por edhe nga disa përfaqësues të vetë kampit republikan. Ndërkohë, “Nvidia” po vijon një hetim të brendshëm, të mbikëqyrur nga administratorë të pavarur, lidhur me dyshimet për spiunazh ndaj Jensen Huang.
Ky i fundit pritet të japë shpjegime më 1 dhjetor, në një seancë me dyer të mbyllura përpara anëtarëve të tri komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve, me kërkesë të ligjvënësve republikanë dhe demokratë.



