Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i cili një çerek shekulli ka luftuar për shtet unitar dhe të pandarë, mbrëmë paralajmëroi se në tavolinë është edhe opsioni për riorganizimin e shtetit në federatë ose konfederatë. Në një tribuni të organizuar nga BDI, Ahmeti shprehu kritika të ashpra për mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe kjo, sipas tij mund të çojë deri në përshkallëzimin e situatës.
“Po u prek Ligji i Gjuhës në frymën e në germë kështu siç është, nuk është mirë për shtetin, nuk është mirë për maqedonasit në radhë të parë dhe këtë ua kam thënë pa u frikësuar se jap ndonjë sekret 27 vendeve të Bashkimit Evropian. Që shqiptarët kanë zgjidhje, pa u vënë juve në siklet a ta pyesim Ali Ahmetin a mos e pyesim kush është zgjidhja, mund të jetë federatë, mund të jetë konfederatë, varësisht prej sjelljes që do të bëjnë ata konform, përballë Marrëveshjes paqësore të Ohrit”, deklaroi mbrëmë Ahmeti.
Siç shkruan Alsat, çështja e federalizimit apo formave të tjera të organizimit shtetëror që do të ndanin shqiptarët dhe maqedonasit shpesh është përdorur si opsion nga partitë opozitare derisa Ahmeti ishte në pushtet. Megjithatë Ahmeti vazhdimisht ka qenë kundër kësaj ideje, duke e mbështetur forcimin e unitaritetit të shtetit. Sipas Ahmetit federalizimi nuk mundej të realizohej për shkak rrethanave demografike e gjeografike.
“Nuk mund të bëhet federalizim në një vend ku nuk di ku t’i vendosësh kufijtë, ku nuk e di ku fillon dhe ku mbarojnë një komunitet dhe fillon komuniteti tjetër. Për të hyrë në tema të tilla duhet të njohësh konfiguracionin, duhet të njohësh gjeografinë e një vendi, duhet të njohësh vendbanimet e një vendi. Zgjidhja më e mirë sesa vetë Marrëveshja e Ohrit që i zgjidh këto probleme që dy komunitete të jenë të barabarta. Zgjidhje ma të mirë politike dhe ligjore nuk ka për këtë vend. Si mund të krijohet një federatë ose konfederatë kur një federatë dhe konfederatë duhet të ketë kufijtë e caktuar. Duhet të ketë territorin e caktuar”, ka deklaruar Ahmeti në maj të vitit 2016.
Në fakt, Ali Ahmeti nuk e ka pasur ide federalizimin edhe kur ka qenë në krye të UÇK-së e as pasi është bërë kryetar i partisë. Vetë Ahmeti, në vitin 2002 thoshte se ata vazhdimisht kanë mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Që me fillimin e luftës, ka qenë plotësisht e qartë. Ne kemi dalë me komunikatë ku pranojmë integritetin, sovranitetin e Maqedonisë. Jemi për përmirësimin e statusit politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Kanë qenë 6 pika që ka qenë platforma e botuar politike dhe mbi bazën e kësaj platforme ne qëndrojmë edhe sot”, ka deklaruar Ahmeti në shtator të vitit 2002.
Ahmeti me dhjetëra herë ka folur edhe për një model të ndarjes së Maqedonisë, i cili i është ofruar nga politikanët e kohës, por që sipas tij as kjo nuk ishte e pranueshme.
“Çdo ndarje e këtij vendi, e Republikës së Maqedonisë do të ishte e dëmshme shumë më e dëmshme për shqiptarët, po aq e dëmshme do të ishte edhe për komunitetin maqedonas sepse nuk mund të ndahen gjërat si me thikë. Do të mbeteshin minoritete, andej, minoritete këndej, ose dëbime prej andej këndej”, ka deklaruar Ahmeti në janar të vitit 2020.
Derisa sot Ahmeti ngre zërin për ndryshime në organizimin e shtetit dhe barazinë ndëretnike, dikur i kishte konsideruar çështjet e barazisë dhe integrimit si procese të mbyllua. Madje, në vitin 2021, BDI-ja ndryshoi fokusin e saj politik, duke e vendosur në plan të parë Agjendën e Blertë. /Alsat.mk


