Zudi Koka nga Lidhja Shqiptare ka reaguar ashpër ndaj përgjigjes së kryetarit të Komunës së Butelit lidhur me statusin e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili kishte deklaruar se një ditë edhe Buteli do të udhëhiqet nga një kryetar shqiptar.
Koka e ka cilësuar reagimin e kryetarit si pothuajse kërcënues, duke vënë në pikëpyetje përmbajtjen e paralajmërimit për “fishkëllima në veshë” dhe duke ngritur shqetësimin për mesazhet që përcillen ndaj shqiptarëve të kësaj komune.
Në reagimin e tij, Koka ka drejtuar një sërë pyetjesh ndaj kryetarit të Butelit, duke e akuzuar për mosrespektim të shqiptarëve, përjashtim të gjuhës shqipe nga tabelat në hapësirat publike dhe mbylljen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe në një shkollë fillore.
Ai gjithashtu ka rikujtuar se kryetari aktual, gjatë fushatës për mandatin e tij të parë, kishte kërkuar votat e Zijadin Selës.
Sipas Kokës, deklarata e Selës se Buteli një ditë mund të ketë kryetar shqiptar është një konstatim i bazuar në realitetin demografik dhe matematikor, ndërsa vendimi përfundimtar u takon qytetarëve përmes zgjedhjeve demokratike.
“Vallë, a është kaq e frikshme nëse nesër banorët e Butelit, përmes zgjedhjeve, zgjedhin një shqiptar për kryetar komune?! Asgjë më shumë se kaq nuk ka thënë z. Sela!”, thekson Koka.
Në fund të reagimit, ai ka paralajmëruar për rrezikun që deklaratat e tilla mund të kenë për bashkëjetesën ndëretnike në Butel, duke shprehur bindjen se banorët e kësaj komune do të vazhdojnë të jetojnë në paqe dhe mirëkuptim, duke ruajtur traditën e bashkëjetesës mes komuniteteve.
“Duke ndarë bakllavanë për Bajram dhe vezët e Pashkëve”, përfundon reagimi i Zudi Kokës nga Lidhja Shqiptare.


