Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Bërvenicë dhe deklaratave politike që pasuan rezultatin zgjedhor.
Mexhiti ka theksuar se zgjedhjet kanë përfunduar dhe se Bërvenica tashmë ka kryetarin e saj të komunës, ndërsa deklaratat polarizuese të bëra pas zgjedhjeve i ka cilësuar si “folklor paszgjedhor”.
Ai ka theksuar se votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe se asnjë subjekt politik nuk i ka ato në pronësi.
Sipas Mexhitit, në politikë pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim.
Duke folur për karakterin multietnik të shoqërisë, ai ka theksuar se nuk duhet të ketë ndarje në “ne” dhe “ata”, pasi kjo nënkupton pabarazi dhe përpjekje për të përjashtuar tjetrin.
“Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë”, ka shkruar Mexhiti.
Në fund, ai ka theksuar se qytetarët vendosin me votë, ndërsa politikanët duhet të marrin përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e tyre, në vend që të merren me arsyetime dhe interpretime paszgjedhore.


