Shkruan: Fejzi HAJDARI
A ishte fitorja e Arkin Jahijit rezultat i strategjisë së AKI-së, mbështetjes së VLEN-it apo shenjë e një mobilizimi të ri politik, të ngjashëm me atë të ‘Gjeneratës Z’ që po trondit politikën në Evropë?
Numrat flasin qartë. Në raundin e dytë të vitit 2025, Haqim Ramadani kishte marrë 4.224 vota, ndërsa këtë vit Arkin Jahiji arriti në 4.438, pra 214 vota më shumë. Në anën tjetër, kandidati i VMRO-DPMNE-së ra nga 4.374 në 4.175 vota, përkatësisht 199 vota më pak.
Këtu qëndron domethënia politike e këtij rezultati. Shqiptarët jo vetëm që arritën të mobilizohen më shumë, por edhe të prodhojnë një rezultat që e nxori humbëse VMRO-në në Bërvenicë.
Natyrisht, meritë për këtë mund të ketë strategjia e shtabit të AKI-së, mbështetja e VLEN-it për kandidatin shqiptar dhe personaliteti i vetë Arkin Jahijit. Por, a ishte kjo vetëm një fitore partiake, apo po shohim lindjen e një fryme të re politike?
Ndoshta Bërvenica është shenja e parë se ‘Gjenerata Z’ po hyn në lojë. Një gjeneratë që nuk dëshiron të jetë peng i pazareve politike, i kalkulimeve partiake dhe i marrëveshjeve që bëhen në kurriz të votuesit shqiptar.
Rasti i Kërçovës, me dorëzimin e komunës në duart e kandidatit të VMRO-së, mbetet një shembull që duhet të shërbejë si alarm për të gjithë. Vota shqiptare nuk mund të trajtohet si pronë private e asnjë partie dhe as të përdoret si monedhë këmbimi në pazaret politike.
Mesazhi i Mickoskit pas humbjes, se «të gjithë u bashkuan kundër nesh», i shoqëruar me akuza dhe nënkuptime kërcënuese ndaj lidershipit politik shqiptar, duket se nuk i bën përshtypje kësaj gjenerate. Përkundrazi, Gjenerata Z po dëshmon se edhe liderë të fuqishëm në Evropë, si Viktor Orbáni e Aleksandar Vuçiqi pastaj edhe Edi Rama, mund të përballen me sfida serioze nga një shoqëri që nuk pranon më të heshtë.
Bërvenica mund të mos jetë vetëm një fitore lokale. Mund të jetë paralajmërimi i një ndryshimi politik.
Dhashtë Zoti që kjo të jetë një fillim i mbarë i Gjeneratës Z – një gjenerate që nuk pyet se kush po bën pazare, por kërkon llogari; që nuk pret urdhra partiakë, por vendos vetë; dhe që nuk lejon më që fati politik i shqiptarëve të negociohet pas dyerve të mbyllura.


