Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Meta ka prezantuar Muse Wonder dhe Muse Wonder Full, dy modelet e saj më të fuqishme të inteligjencës artificiale, me të cilat synon të konkurrojë drejtpërdrejt me OpenAI dhe Anthropic. Por çfarë sjellin konkretisht?
Risia kryesore është memoria aktive. Sipas Meta-s, modelet ruajnë informacione të rëndësishme nga bisedat e mëparshme dhe i përdorin kur nevojiten. Pra, nuk duhet t’ua shpjegosh çdo herë nga fillimi preferencat, planet dhe kufizimet e tua.
Pastaj vjen përqendrimi aktiv: aftësia për të vazhduar një detyrë edhe kur shfaqen pengesa. Modeli provon zgjidhje të tjera, përshtatet me informacionin e ri dhe kërkon konfirmim përpara veprimeve të rëndësishme. Synimi është të mos të japë vetëm udhëzime, por të ndihmojë edhe në kryerjen e punës.
Në praktikë, modelet mund të analizojnë dokumente, fotografi e video, të shkruajnë dhe testojnë programe, si edhe të ndihmojnë me kërkime e planifikim. Megjithatë, Meta pranon se ende mund të bëjnë gabime.
Në një demonstrim, kompania tregoi edhe organizimin e vendeve të të ftuarve në një dasmë, sipas një liste kërkesash të ndërlikuara. Imagjino t’i japësh listën e një dasme shqiptare: «Këta të dy mos i ul bashkë, nuk flasin….se janë zënë për pronat. Këtë tjetrin vendose përpara, se i mbetet hatri. Edhe lër katër vende bosh, për disa qen kanë thënë që s’vijnë, por nuk i dihet.»
Dasma është të shtunën. Inteligjenca artificiale ende po merret me tavolinën numër shtatë.
Muse Wonder është i disponueshëm për zhvilluesit dhe në mjetin e programimit Muse Code. Versioni më i fuqishëm, Wonder Full, ofrohet vetëm për abonentët e Muse Code. Ndërsa Wonder do të vijë së shpejti edhe te asistenti personal Muse, fillimisht për abonentët.


