Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Tani edhe robotin duhet ta shash me masë. S’ta kthen me libër familjeje, por thjesht mund të ta mbyllë bisedën. Dhe ti mbetesh aty, me nerva, me punën përgjysmë, duke i thënë ekranit: «Hape, se s’e mbarova!»
Anthropic, kompania që krijon Claude-in, ka vendosur të ndalojë abuzimin e vazhdueshëm dhe të panevojshëm ndaj modeleve të saj. Rregulli hyn në fuqi më 12 nëntor. Claude e ka tashmë mundësinë të ndërpresë biseda të tilla; tani kjo futet shprehimisht në rregullat e përdorimit.
Imagjino skenën. Është ora një e natës. Ke një prezantim për nesër. I kërkon ta rregullojë, nuk të pëlqen, fillon debati. Ti harron prezantimin dhe merresh njëzet minuta me edukimin e robotit.
Pastaj ai ta mbyll.
Dhe menjëherë ndryshon toni:
«Po mirë, pse kështu tani?»
«Hë mo se po bëja shaka.»
«Hajde, bëjmë edhe përfundimin dhe s’të shqetësoj më.»
Nga “ti s’di asgjë” te “vetëm ti ma mbaron këtë punë”, brenda tridhjetë sekondash.
Por ka një dallim të rëndësishëm: kritikat, nervozizmi i zakonshëm dhe testimet lejohen. Anthropic thotë se ndalimi vlen vetëm për raste ekstreme, me sjellje abuzive të përsëritur pa ndonjë qëllim të dallueshëm. Pra, mund t’i thuash se përgjigjja është gabim. Nuk ke pse ta përkëdhelësh.
Se përndryshe do të përfundonim duke i korrigjuar gabimet kështu:
«Claude, shumë bukur e ke bërë. Vetëm një hollësi të vogël… asgjë nuk është siç ta kërkova. Por mos u mërzit, edhe unë ndoshta nuk u shpreha mirë.»
Dhe nesër, kur të të pyesë shefi pse nuk e mbarove prezantimin:
«Pata një konflikt me kolegun.»
«Cilin koleg?»
«Atë brenda laptopit.»


