Propozim-vendimi për zgjatjen e afatit të gjendjes së krizës për shkak të rrezikut nga ndërprerjet në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës në Maqedoninë e Veriut ka kaluar Komisionin parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri dhe do të procedohet më tej në Kuvend, përcjell PressOnline.al.
Në seancën e sotme të Komisionit, arsyetimin për propozimin e paraqiti ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Sipas tij, ndryshimi parashikon që afati aktual, i cili përfundon më 20 tetor 2026, të zgjatet deri më 20 prill 2027.
Me këtë ndryshim synohet vazhdimi i vlefshmërisë së vendimit për miratimin e zgjatjes së gjendjes së krizës, për shkak të mundësisë së çrregullimeve në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës në të gjithë territorin e shtetit.
Pas kalimit në Komisionin parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, propozim-vendimi do të shqyrtohet në procedurën e mëtejshme parlamentare. (PressOnline.al)


