Në kuadër të Muajit Rozë, në restorantin “Venec” në Dibër u promovua autobiografia e Arineta Abdushit, një grua që arriti ta tejkalojë betejën me kancerin e gjirit dhe përvojën e saj ta shndërrojë në një rrëfim frymëzues për jetën, guximin dhe shpresën. Historia e saj personale, e mbushur me emocione, sfida dhe forcë për të vazhduar përpara, u bë pjesë e një aktiviteti ndërgjegjësues kushtuar luftës kundër kancerit të gjirit.
Në restorantin “Venec”, ku morën pjesë shumë gra dibrane, u promovua libri autobiografik i Arineta Abdushit me titullin “Rrugëtimi im drejt jetës”. Përmes fjalës së shkruar, autorja ka vendosur të ndajë me publikun përvojën e saj në përballjen me këtë sëmundje të rëndë.
Për Arinetën, ky libër nuk është thjesht një rrëfim për jetën e saj, por edhe një dëshmi e forcës njerëzore përballë vështirësive. Duke e tejkaluar betejën me kancerin e gjirit, ajo përcjell një mesazh të rëndësishëm për të gjitha gratë: të mos e humbin shpresën, të kujdesen për shëndetin dhe të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Gjatë aktivitetit, vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes. Mjekja Aida Begu, specialiste e radiologjisë, foli për domosdoshmërinë e vizitave të rregullta mjekësore dhe kontrolleve parandaluese, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në zbulimin në kohë të kancerit të gjirit. “Të gjitha gratë, në përgjithësi, kujdesemi për të gjithë të tjerët, por e lëmë veten të fundit kur bëhet fjalë për shëndetin tonë. Nuk kujdesemi sa duhet për trupin tonë. Çdo grua duhet të bëjë skrining dhe mamografi pas moshës 40-vjeçare, sepse mamografia mundëson zbulimin e kancerit të gjirit në fazë të hershme. Sa më herët të zbulohet sëmundja, aq më i suksesshëm është trajtimi”, theksoi mjekja Begu.

Sipas saj, numri i grave të prekura nga kjo sëmundje është i lartë, por zbulimi i hershëm e bën trajtimin më efikas dhe rrit mundësitë për rezultate më të mira. Mesazhi i saj ishte i qartë: gratë duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit të tyre dhe të mos i neglizhojnë kontrollet mjekësore. Zbulimi i hershëm mundëson fillimin në kohë të trajtimit dhe rrit mundësitë për shërim.
Për librin dhe rëndësinë e tij foli edhe profesoresha Dashamire Spahiu, e cila vuri në pah vlerën e një rrëfimi autobiografik që buron nga përvoja personale dhe mund të shërbejë si burim frymëzimi për të tjerët. “Forca dhe vullneti i një gruaje të fortë, siç është Arineta, e cila e tejkaloi këtë betejë, e shtynë të bëhet shembull për gratë e tjera që përballen me këtë sëmundje. Ajo luftoi dhe nuk u dorëzua, e mposhti këtë betejë dhe sot e kemi në duar librin e saj, ku përshkruhet i gjithë rrugëtimi deri te shërimi, si dhe mesazhi për gratë e tjera”, tha Spahiu.
Promovimi i librit në kuadër të Muajit Rozë ishte më shumë se një ngjarje letrare. Ai shërbeu si një moment reflektimi për rëndësinë e shëndetit, solidaritetit dhe mbështetjes për gratë që përballen me kancerin e gjirit.
Historia e Arineta Abdushit dëshmon se edhe pas sprovave më të vështira, jeta mund të vazhdojë me guxim dhe shpresë. Duke e ndarë historinë e saj me të tjerët, ajo përcjell një mesazh që shkon përtej faqeve të librit: të flasim për kancerin e gjirit, të kujdesemi për veten dhe të mos jemi kurrë indiferentë ndaj dhimbjes së të tjerëve. “Ky libër është një pëshpëritje e shpirtit tim, një rrëfim i shkruar jo me dorë, por me zemër. Në faqet e tij nuk ka vetëm dhimbje, por edhe dorëzim te Zoti. Kur fillova ta shkruaja këtë libër, mendoja se nuk do ta përfundoja, por ja që e përfundova dhe sot u promovua”, tha Arineta Abdushi.
Muaji Rozë na kujton se ndërgjegjësimi, kontrollet mjekësore dhe mbështetja njerëzore janë thelbësore në këtë betejë. Pas çdo historie mbijetese qëndron një mesazh për jetën, ndërsa çdo grua meriton kujdes, mbështetje dhe shpresë. (koha.mk)


